E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, takim me ish-policët: “Qeveria jonë do t’ju rikthejë në punë”

Kreu i PS-së: “Punonjësve të Policisë do t’i rikthejmë dinjitetin”. Rama premton unifikimin e forcave të Policisë në strukturën e Policisë së Shtetit

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me ish-punonjës të Policisë, të hequr nga puna gjatë periudhës qeverisëse të kryeministrit Sali Berisha. Në fjalën e tij në këtë takim, kryesocialisti Edi Rama u ka premtuar ish-punonjësve të Policisë rikthimin në punë në rast të fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Rama ka shpjeguar gjithashtu edhe programin qeverisës së Partisë Socialiste për rendin dhe sigurinë publike, teksa ka bërë publike edhe një pikë kryesore të këtij programi. Kryesocialisti Edi Rama tha se të gjitha llojet e policisë do të përmblidhen në një të vetme, e cila do të quhet Policia e Shtetit.

Premtimi

Duke folur për programin qeverisës për rendin dhe sigurinë publike, Rama u përqendrua në sigurinë kombëtare, duke sqaruar se PS-ja në qeverisje do të krijojë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare. “Ne duam dhe do të ndërtojmë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjes sipas rastit. Kjo strukturë do të hartojë politikat për rendin dhe sigurinë publike, për shërbimin e emergjencave civile, për sigurimin dhe qarkullimin e informacionit të klasifikuar dhe për mbrojtjen e integritetit territorial”, - deklaroi kryesocialisti Rama.
Duke folur përpara punonjësve të liruar nga Policia, Rama tha se qeverisja e ardhshme e socialistëve synon rikthimin e dinjitetit të punonjësve të Policisë. “Dinjiteti dhe figura e punonjësit të Policisë duhet të ringrihet. Çdo punonjës policie duhet të përfaqësojë denjësisht shtetin, nuk mund të vazhdohet me diskreditimin e figurës së punonjësit të Policisë, duke bërë që sa herë të ndërrohet pushteti, të militantantizohet sipas ngjyrave të tij, kjo strukturë shumë e rëndësishme për jetesën në siguri të qytetarëve. Duke e kthyer policin, më të thjeshtin, në simbol të shtetit dhe duke mos toleruar më që të jetë karikatura e pushtetit”, - vijoi kreu i PS-së, Edi Rama.

Policia
Duke folur për policinë, Rama tha se shtetit shqiptar i duhet vetëm një polici, dhe jo shumë polici, si strukturat aktuale, ku mund të përmenden Polici Pyjore, Elektrike etj. “Shumë struktura të titulluara policie krijojnë konfuzion dhe mbivendosje”, - u shpreh Rama, duke dhënë premtimin se pas 28 qershorit do të ekzistojë vetëm një Polici, ajo e shtetit shqiptar. “Më lejoni të vij te pika që unë mendoj se është edhe thembra e Akilit. Aty ku ne do të godasim qysh në fillim. Nuk mund më të shkojmë përpara duke pasur 10 polici të tjera krahas Policisë së Shtetit. Paqartësi në përgjegjësi, paqartësi në kufijtë e përgjegjësive nga njëra tek tjetra, të cilat krijojnë alibi nga më të çuditshmet dhe janë shtrati më i infektuar i korrupsionit, i mungesës së efektshmërisë së shtetit në raport me rendin e me sigurinë dhe i militantizimit të shtetit në funksion të partisë në pushtet.
Nuk do të ketë më 10 polici, një polici e veshur me gri, një polici e veshur me jeshile, një polici e veshur me bojë qielli, një tjetër me të verdhë, njerëz të punësuar me teserë partie që shpërndahen nëpër territor për të nxjerrë bukën e gojës, ndërkohë që territori i Shqipërisë është tërësisht jashtë kontrollit në aspektin e pronës publike, në aspektin e pronës private, në aspektin e sigurisë publike dhe private që ka ndërkohë një kontroll që lë shumë për të dëshiruar. Ajo që ne do të bëjmë është: një polici, Policia e Shtetit”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›