Meta: “LSI-ja ka plan konkret për mbështetjen e biznesit në vend”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një vizitë në një nga industritë e prodhimit të veshjeve me material porositësi, apo, sikurse njihen ndryshe, “industria e fasonëve”. Pas bashkëbisedimit me punonjësit dhe njohjes nga afër me problemet që përballen sot të tilla ndërmarrje, që punësojnë rreth 100 mijë shqiptarë në vend, Meta u shpreh se LSI-ja ka një plan konkret për t’i mbështetur këto biznese si dhe për të nxitur punësimin e shqiptarëve.
Kreu i LSI-së deklaroi masat më të rëndësishme që LSI-ja ka parashikuar për të ndihmuar këto biznese, që kanë të bëjnë me heqjen e tatim-fitimit deri në 2010-n dhe masa e dytë ka të bëjë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore me 50% deri në fund të vitit 2011. “Ne shprehim angazhimin tonë për t’i mbështetur me politika konkrete, lehtësuese dhe favorizuese të gjitha këto biznese në vendin tonë; së pari duke i përjashtuar nga tatim-fitimi deri në fund të vitit 2010, dhe së dyti duke subvencionuar sigurimet shoqërore me 50% deri në fund të vitit 2011”, - u shpreh Meta.
Lideri i LSI-së theksoi se këto dy masa, pa asnjë diskutim, do të kontribuojnë që këto aktivitete jo vetëm të mos bllokohen sikurse ka ndodhur deri tani, por edhe të rrisin punësimin në vend. Meta shprehu gjithashtu shqetësimin e tij dhe të forcës politike që ai drejton për mungesën e politikave lehtësuese nga ana e qeverisë për të ndihmuar këtë industri tepër të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë. “Ne jemi këtu për të shprehur angazhimin tonë shumë të qartë programor dhe qeverisës për të mbështetur në këtë kohë krize tepër kritike për tregjet europiane ku këto prodhime shkojnë dhe janë të garantuara për t’u shitur, pasi tani dimë që po bie kërkesa për këtë lloj prodhimi. Por njëkohësisht kjo do të krijonte një garanci për t’i ruajtur këto tregje që ne sot i kemi jashtë në Europë, por njëkohësisht dhe mund të nxisim dhe sipërmarrës të tjerë shqiptarë apo evropianë, sidomos ata italianë, që t’i transferonin aktivitetet e tyre në vendit tonë, gjë që do të sillte rritjen e të punësuarve në vend”, - tha kreu i LSI-së Ilir, Meta.
7 Maj 2009