Ish-naftëtarët: Do të hyjmë në grevë urie
Punonjësit e nxjerrë në asistencë nga kompania "Albpetrol" kanë rreth dy muaj që nuk kanë marrë asistencën. Ish-naftëtarët e revoltuar kanë kërcënuar se do të futen në grevë urie, nëse vazhdon vonesa në pagesën e asistencës. Atyre u ishte premtuar se pas shkëputjes së marrëdhënieve me kompaninë, do të paguheshin sipas ligjit të aprovuar nga qeveria për këtë kategori punonjësish. Por, sipas tyre, ky ka qenë vetëm një mashtrim i radhës, ashtu siç ishte mashtrim dhe dalja e tyre me pa të drejtë nga puna. Dje, atyre u ishte thënë të paraqiteshin pranë filialeve të Postës Shqiptare në Fier, për të marrë asistencën, por nëpunëset e postës u kanë sqaruar se nuk kishte mbërritur lista e tyre për të bërë pagesat. "Po na mashtrojnë përsëri. Kemi punuar një jetë të tërë dhe na hoqën pa të drejtë, por të paktën të mos na gënjejnë për bukën e fëmijëve", shprehen të revoltuar ata. Pasi kanë dalë prej filialit të postës, ish-punonjësit e "Albpetrol" kanë kërcënuar se ditën e hënë do të nisin grevën e urisë. Ndërkohë, punonjësja e postës ka sqaruar se këto janë thjesht vonesa procedurale, pasi paratë kalojnë nga qeveria në "Albpetrol" dhe më pas, së bashku me listën, kalojnë në zyrat postare.