E Diel, 1 Nëntor 2026

Të djathtët bojkotojnë këshillin bashkiak

Anulohet mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak të Fierit. Shkak është bërë bojkoti i këshilltarëve të djathtë, pasi kërkuan që në rendin e ditës të futej çështja e kalimit të pronësisë nga ministria në bashkinë e qytetit të godinës së ish-konviktit të Shkollës Industriale. Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Arben Nazëraj, këshilltar i djathtë, ka kërkuar vendosjen në rend të ditës të kësaj çështjeje, pasi, sipas tij, ka kohë që ky hap është bërë nga qeveria dhe po zvarritet nga Bashkia Fier. "Ka më shumë se një vit e gjysmë që qeveria ka dhënë miratimin e privatizimit të kësaj godine dhe ne nuk kemi marrë mundimin të ndezim ‘dritën jeshile‘ për këta banorë që presin privatizimin. Nëse nuk shtohet kjo pikë në rendin e ditës, ne nuk marrim pjesë në këtë mbledhje", ka thënë Nazëraj, duke bojkotuar në këtë mënyrë së bashku me pjesën më të madhe të këshilltarëve të djathtë mbledhjen e djeshme. Konkretisht, në godinën e ish-konviktit të Shkollës Industriale të Fierit, prej më se 18 vjetësh jetojnë mbi 45 familje ish të përndjekurish politikë, të cilët presin dita-ditës ta bëjnë pronë të tyre këtë strehë. Por, që të kryhet privatizimi i kësaj godine, duhet fillimisht të kalojë si pronë e Bashkisë së Fierit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›