Rrezikon shembjen ura e ndërtuar në 2005-ën
Ura e Lekasit, e ndërtuar vetëm katër vjet më parë, rrezikon të shembet. Prurjet e mëdha të ujërave, pas shkrirjes së borës dhe reshjeve të fundit të shiut, kanë dëmtuar këmbët e urës dhe disa pjesë metalike të saj. Kjo ka bërë që ura të bëhet e pakalueshme për mjetet e tonazhit të rëndë, por jo vetëm, pasi dëmtimet kanë bërë që ajo të jetë e pasigurt edhe për kalimtarët dhe mjetet e vogla. Kreu i komunës, Nderim Kreka, shpreh shqetësimin se nëse nuk ndërhyhet në kohë, kjo urë, që lidh të paktën 9 fshatra mes tyre, do të shkojë drejt shembjes, e për pasojë banorët e zonës do të mbeten plotësisht të izoluar. Sipas tij, ndonëse objekti u rindërtuar para katër vjetësh, cilësia e punimeve nuk ka qenë e kënaqshme. Ndërkohë, sipas kreut të komunës, duhet të ndërhyhet për ngritjen e pritave të lumit.