Ish-naftëtarët në protestë për pagat
FIER - Protestojnë pasi nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga ajo që u ishte premtuar. Ish-punonjës të ndërmarrjeve të naftës të prekur nga reforma, edhe një herë kanë ngritur zërin për të vënë në vend një të drejtë që u takon. Të grumbulluar përpara prefekturës Fier në pritje të një përgjigjeje, më shumë se 70 të reformuar kanë vënë në dukje mungesën e korrektësisë nga ana e qeverisë për mosmbajtjen e premtimit të dhënë se do të paguheshin, në bazë të vjetërsisë së punës për gjithë periudhën që kishin punuar në industrinë e naftës. "Na kanë hedhur në rrugë. Ku kanë shkuar gjithë paratë që na ishin premtuar kur ne s'kemi marrë asgjë. Kërkojmë si punëtorë të marrim shumën e parave që na përket për gjithë vjetërsinë e punës. Të mos na mashtrojnë e gënjejnë, pasi kemi që nga data 9 qershor që na mbajnë me shpresa se do të marrim lekët dhe asgjë nuk po bëhet", pohojnë ata. m.r