Vlorë, KRRT-ja miraton parkun industrial të Nartës
VLORE - KRRT-ja e Bashkisë së Vlorës miratoi dje parkun industrial të Nartës. Sipas kreut të bashkisë e njëherazi kryetar i KRRT-së së Vlorës, Shpëtim Gjika, ndërtimi i këtij parku pritet t'i japë akses zhvillimit ekonomik të qytetit. Dje u zhvillua mbledhja e radhës, e katërta për këtë vit, në të cilën u shqyrtuan 23 dosje. Nga këto, 12 janë detyra projektimi, 10 leje ndërtimi dhe një akt shfrytëzimi. Duke qenë se mbledhja kishte kuorumin e duhur, ajo vijoi normalisht dhe pas shqyrtimit të 23 dosjeve, ato u aprovuan në total nga ana e anëtarëve të KRRT-së. Rreth 80 për qind e materialeve dhe dosjeve të shqyrtuara e zinin projektet infrastrukturore të bashkisë. Gjika u shpreh se kanë përfunduar tashmë rreth 80 për qind e investimeve të parashikuara në buxhetin e bashkisë për vitin 2008. Disa nga detyrat e projektimit të miratuara kishin të bënin me infrastrukturën në qytet, si unaza, rrugët që lidhin aksin rrugor të Transballkanikes, rruga kryesore Vlorë-Skelë me të gjitha parametrat evropiane. Por projekti më i rëndësishëm që u miratua ishte ai i parkut industrial të Nartës. Këshilli teknik kishte pasqyruar dy variante në projekt. Parku industrial do të jetë rreth 120 hektarë, i cili sipas Gjikës do të jetë një investim shumë i madh për biznesin e Vlorës. Në mbledhjen e djeshme u miratuan edhe sistemimi dhe rehabilitimi i dy blloqeve të banimit të lagjes "Isa Buletini" dhe "Rilindja", rikonstruksioni i rrugës Vlorë-Nartë, disa rrugë të tjera të rëndësishme në qytet, rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit, rikonstruksioni i disa objekteve si shkolla, qendra shëndetësore dhe muze, etj. Në fund të mbledhjes, kryebashkiaku i është përgjigjur akuzave të Berishës për rrugën Transballkanike. Sipas tij, "kryetari i PD-së duhet të dijë që bashkia nuk ka asnjë përgjegjësi për vonesat në përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Transballkanike". q.b