E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-numri 1 i botes ne tenis Nadal eleminohet papritur nga kroati Dodig

Humbja në finalen e Uimbëlldonit nuk qenka harruar lehtë, edhe pse ish-lideri i renditjes botërore të tenisit kishte marrë 5 javë pushim absolut. Rafael Nadal u eleminua nga kroati Ivan Dodig në turneun e Montrealit në Kanada, një e papritur e madhe në këtë sport fisnik.

Spanjolli zbriti në fushë për herë të parë që pas humbjes me Novak Gjokoviçin në finalen e Uimbëlldonit më 3 korrik, por nuk arriti ta kthente zbaticën. Ndonëse Nadal fitoi lehtësisht setin e parë me rezultatin 6-1, në dy të tjerët u mposht, edhe pse vetëm pas lojës shtesë. Kroati përdori mirë lojën në rrjetë duke fituar dy sete radhazi 7-6 dhe sërish 7-6.

Spanjolli nga Majorka pati mundësi ta fitonte ndeshjen në setin e tretë, kur udhëhoqi 5-3 dhe kishte shërbimin vendimtar, por dy herë fituesi i këtij turneu, nuk ia arriti qëllimit.

Një ndeshje që zgjati 3 orë dhe që numri 41 në botës ia doli t’ia shkëpuste Nadalit që, në këtë mënyrë, u eleminua në turin e dytë të turneut.
Kjo humbje e ish-numrit 1 në botë ishte një kulm emocionesh në një ditë të zakonshme tenisi në Montreal. Më parë, kishin zbritur në fushë dhe kishin fituar numri 1 i botës, serbi Novak Gjokoviç, por edhe numri 3, zvicerani Rozher Federer.

Gjokoviç e nisi mbretërimin e tij si numri 1 i botës me një fitore 2-0 në sete ndaj rusit Nikolaj Davidenko, ndonëse e pati të vështirë në setin e parë. Në fund, ai triumfoi me rezultatet e seteve, 7-5 dhe 6-1.

Tenisti serb ka një rekord rezultatesh të shkëlqyer për këtë vit, me 49 fitore dhe vetëm 1 humbje, ndërsa ka fituar 8 tituj, përfshi edhe dy sukseset e mëdha në Australi dhe Uimbëlldon.

Zvicerani Federer, edhe ai një ish-numër 1 në botë dhe rekordmen i fitoreve në turnetë e Çmimeve të Mëdha me 16 të tilla, kapërceu kanadezin Vasek Pospisil. Federer përdori përvojën e tij të madhe për të fituar një ndeshje ku nuk pati shumë epërsi, me rezultatet 7-5 dhe 6-3.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›