E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-oficerët e pastrehë në protestë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Ish-oficerë të policisë në protestë për banesat e tyre. Rreth 50 familje kundërshtuan dje vendimin për prishjen e shtëpive të tyre dhe depozituan edhe një padi civile në gjykatën e Korçës kundër këtij vendimi të bashkisë.Prej vitit 1993, me një vendim të Ministrisë së Brendshme, këto familje jetojnë në ish-repartin e ndërhyrjes së shpejtë. Tashmë trualli i ka kaluar në pronësi bashkisë, e kjo e fundit ka nisur një projekt për ndërtimin e banesave sociale. Banorët janë kundër këtij vendimi, ndonëse bashkia u ka garantuar se ata do të jenë ndër kategoritë prioritare që do të përfitojnë nga këto banesa. Burime nga bashkia e Korçës bënë të ditur se në sipërfaqen ku janë ndërtuar shtëpitë e tyre do të ndërtohen apartamente për të pastrehët. Kryefamiljarët e protestuesve të djeshëm kanë qenë ish-ushtarakë dhe oficerë të Ministrisë së Brendshme. Banorët i kërkojnë bashkisë që të ndërtojë apartamentet e planifikuara në hapësirën prej tre hektarësh që ka mbetur e lirë. Kjo sipërfaqe ndodhet në dalje të Korçës, ngjitur me varrezat e ushtarëve francezë. Sipas protestuesve ishte një urdhër i Ministrisë së Brendshme, në vitin ‘93 që strehuan në ambientet e ish-repartit të ndërhyrjes së shpejtë ish-kuadro të policisë, të cilët ishin të pastrehë. Banorët u shprehën më tej se ata kanë investuar për adoptimin e ambienteve në shtëpi banimi dhe për një periudhë prej gati dhjetëvjeçare kanë paguar qira të rregullt. Por pak kohë më parë, me një vendim të Këshillit të Ministrave, sipërfaqja prej 4 mijë metra katrorë i kaloi në pronësi bashkisë. Kjo e fundit aprovoi në këshillin bashkiak ndërtimin e një kompleksi banesash sociale për familjet e pastreha. Drejtues të bashkisë bëjnë të ditur se është planifikuar ndërtimi i 96 apartamenteve. Ndërsa 50 familjeve të ish-oficerëve të policisë u është premtuar se do të kenë përparësi për t’u strehuar. Banorët pohuan në protestën e djeshme se nuk kanë besim te premtimet. Ata kanë refuzuar zgjidhjen e ofruar nga bashkia, për t’u paguar qiranë e banesës për një periudhë njëvjeçare, duke kërkuar që në fillim të ndërtohet pallati ku ata do të strehohen dhe më pas të prishen shtëpitë. Drejtues të bashkisë deklaruan se do të prishen shtëpitë e ish-oficerëve dhe do të fillojë zbatimi i projektit për tre pallate për të pastrehët. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Sotiraq Filo, me vendim të qeverisë, kjo sipërfaqe toke i ka kaluar në pronësi bashkisë. “Në një pjesë të kësaj sipërfaqeje, bashkia ka miratuar realizimin e një projekti madhor për ndërtimin e 96 apartamenteve, me një fond prej 1.2 milionë euro që bashkia ka marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Është bërë edhe tenderi për firmat fituese të ndërtimit të këtyre pallateve dhe këto ditë, pasi të shpallen firmat fituese, pritet fillimi i realizimit të këtij projekti”, u shpreh Filo. Sipas tij, në fazën e parë të këtij projekti do të prishen shtëpitë e 16 familjeve të para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›