E Diel, 1 Nëntor 2026

Riza Qosja në gjyq: Altin Dardha më grabiti automjetin me armë në Berat

 

TIRANE – Duke folur ulur, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, Riza Qosja tregoi dje përpara Gjykatës së Tiranës se si Altin Dardha i kishte grabitur makinën nën kërcënimin e armës 11 vjet më parë. Qosja ishte dëshmitar i kërkuar nga prokuroria në procesin gjyqësor në ngarkim të Gëzim Kasemit, i akuzuar si një nga anëtarët e një prej bandave më të tmerrshme kriminale të lindura në vitin 1997, asaj të drejtuar nga Altin Dardha. Ngjarja për të cilën ai dëshmoi ka ndodhur gjatë kohës që anëtarët e bandës po i shmangeshin ndjekjes së policisë, pasi kishin ekzekutuar Burhan Tomorrin, Abdyrrahim Tomorrin, Behar Eskiun dhe Kastriot Bejkon, ndërkohë që kishin plagosur Ramadan Eskiun dhe Vlash Shkurtin. Sipas Qoses, ngjarja ku Altin Dardha i kishte grabitur makinën kishte ndodhur në vitin 1998. “Po pija kafe tek klubi tek fiqtë në Uznovë me bashkëshorten time, vëllain dhe një mikun tim. Aty pashë që kisha harruar cigaret në makinën e parkuar përpara lokalit”, ka nisur Qosja të tregonte ngjarjen. “Dëgjova një zhurmë makine tek kthesa aty pranë. U bëra kureshtar të shikoja afër se çfarë ishte. Pashë një makinë tip “Fiorino”, që e kishte të thyer xhamin e parmë. Njoha që në vendin e parmë nga ana e pasagjerit ishte Altin Dardha. Po i thoshte shoferit ‘mbaje se është makina e atij tjetrit këtu’, duke iu referuar një farë Buhrani, mbase për shkak të ngjashmërisë që kishte makina ime me të tijën”, tregoi Qosja. Dëshmitari tha dje se e njihte Altin Dardhën. “Unë e njihja Altinin nga i ati. I thirra në emër se e pashë që po vinin drejt meje me armë të drejtuara nga unë. Në ato momente pashë vetëm Altinin dhe shoferin”, tha dëshmitari. “Altini po më kërkonin llogari se e kujt ishte makina ime tip ‘Toyota’ e kuqe. Ndërsa ai tjetri më mbante grykën e automatikut në brinjë dhe më kërkonte çelësat e makinës. Arma ishte e nxehtë, se më dogji brinjën. Me sa duket ishte qëlluar me të më parë. Ia dhashë çelësat dhe u drejtova për nga lokali. Pas pak, vjen ai tjetri dhe më thotë ‘Ku e ka indietron makina?’ pasi e kishin ndezur, por nuk po e lëviznin dot”. Dal jashtë dhe ia tregova dhe dëgjova Altin Dardhën që thoshte: ‘Shpejt, shpejt se po vjen policia. Aty pashë që ishin 4 vetë. Nga ata njihja vetëm Altinin”, u shpreh dëshmitari. Sipas tij, personat i morën makinën ndërsa “Fiorinon” e braktisën aty. “Në atë kohë aty mbërriti një ‘Tipo’ policie. I tregova për ngjarjen dhe u tregova makinën time, pasi ajo dukej ende nga larg teksa po ngjiste kodrën. Makina e policisë drejtohej nga Gani Malushi. Pas kësaj unë mora familjen dhe u largova me një makinë të rastit. Pas rreth 3 ditësh gjeta makinën time. Në ditët në vazhdim mora vesh se Altini kishte vrarë Burahnin”, rrëfeu dje Qosja.                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›