Vret me thikë kushëririn në gjendje të dehur
TROPOJË/ Mbetet i vrarë në orët e para të mëngjesit të së hënës 39-vjeçari Ramiz Ymeraj, baba i gjashtë fëmijëve
TROPOJË - Ka mbetur i vdekur nga plagët e thikës një 39-vjeçar nga fshati Pac i komunës Bytyç të Tropojës. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pas një sherri banal mes viktimës dhe autorit, të cilët janë kushërinj mes tyre, ndërsa policia ka vënë në pranga shtetasin Besnik Hamit Ymeraj, 35 vjeç.
Bëhet e ditur se viktima Ramiz Ali Ymeraj, 39 vjeç, ishte baba i gjashtë fëmijëve. Shefi i komisariatit të Tropojës, Naim Osmani, tha se ngjarja ndodhi pak pas mesnate duke u gdhirë e hënë. Mësohet se dy kushërinjtë Besnik Hamit Ymeraj dhe Ramiz Ali Ymeraj kanë qenë bashkë në një lokal duke konsumuar alkool dhe pas kësaj kanë nisur edhe të konfliktohen njëri me tjetrin.
Pasi janë larguar nga lokali sherri ka vazhduar dhe në rrugë e sipër Ramizi është goditur me thikë nga kushëriri i tij Besniku. 39-vjeçari është dërguar për në spitalin e Bajram Currit por për shkak të plagëve të rënda ka gjetur vdekjen gjatë rrugës.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e policisë së Komisariatit të Tropojës ku pas negociatave me autorin e vrasjes, ky i fundit i është dorëzuar policisë mëngjesin e së hënës. Mësohet se viktima dhe autori i vrasjes ishin kushërinj me njëri-tjetrin, ndërkohë që Besniku punonte në nxjerrjen e mineralit të kromit në zonën krommbajtëse të komunës së Bytyçit.
Madje takimi me kushëririn e tij ka qenë pikërisht pasi ai po kthehej nga puna në orët e vona të mbrëmjes, ku më pas ka lindur sherri që çoi deri në vdekjen e babait të gjashtë fëmijëve. Vrasja e pas mesnatës duke u gdhirë e hënë ka tronditur opinionin në zonën e Bytyçit të rrethit të Tropojës.
Krahina e Bytyçit në të cilën bën pjesë edhe fshati Pac është një ndër shtatë fiset e malësisë së Gjakovës, i njohur për tolerancën. Në këtë krahinë nuk janë regjistruar vrasje apo ngatërresa për një periudhë 100-vjeçare.
Vrasja e parë pas 100 vjetësh ka ndodhur në prill të vitit 2005 në fshatin Zogaj, ku nxënësi i shkollës së mesme të fshatit Zogaj, Eduart Alia, nga fshati Zgjeç vrau me armë zjarri pistoletë mësuesin e kësaj shkolle, Ilir Alia, i cili po ndante autorin e vrasjes nga sherri me një tjetër nxënës. Vrasja në këtë rast ishte aksidentale. Familja e mësuesit të vrarë fali asokohe gjakun e djalit të vrarë, veprim që bëri bujë në të gjithë Malësinë e Gjakovës.