Ish-policët, ceremoni të ndarë për përvjetorin
97-vjetori
Ata ngrenë një sërë problemesh, që i ndjekin edhe në reformë
Në ceremoninë e ish-policëve morën pjesë shumë ish-punonjës policie, por nuk munguan edhe ish-ministrat e rendit, si Luan Rama, Ilir Gjoni e Petro Koçi. Gjithashtu, nuk kanë munguar edhe ish-drejtues të policisë, të cilët kanë ngritur një sërë problemesh, që i shqetësojnë edhe sot. Një ndër këto probleme kyçe është ajo e pensionit suplementar. Sipas tyre, pavarësisht se kanë mbushur moshën për pension të parakohshëm, pavarësisht se kanë pasur një ligj të vjetër, pavarësisht se është bërë edhe një ligj i ri, prej shtatë muajsh, qeveria zvarrit vendimet dhe ata nuk përfitojnë asgjë, duke i vënë në vështirësi ekonomike. “Nëse nga largimet nga puna na fyen profesionalisht dhe na dhunuan moralisht, me ligjin që u miratua në sekondat e fundit me një procedurë antiligjore të dushkparlamentit kërkohet të na rrënojnë edhe ekonomikisht. Ne, këtë ligj e kemi ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dhe presim vendimin e saj, i cili normalisht duhet të jetë në favorin tonë, jo sepse kemi dëshirë, por sepse shteti ligjor dhe i së drejtës është me ne”, deklaroi Besnik Bakiu mbi këtë argument. Në të njëjtën kohë theksoi se pjesa dërmuese e ish-policëve ka 7 muaj që nuk merr asnjë qindarkë pagese, pavarësisht se ligji e parashikon. Kjo, pasi qeveria akoma nuk ka nxjerrë një vendim për këtë çështje. Më tej, ai sqaroi se kanë qenë në një dilemë për të organizuar ceremoninë, për shkak të përmbytjeve, por, shtoi se organizata kishte ofruar gjithë kapacitetet e saj për t’i përdorur për nevojat e situatës. Besnik Bakiu shtoi në fjalën e tij gjithashtu se “nuk mund të mos shprehim shqetësimin dhe nuk mund të heshtim kur shohim sytë e përlotur të fëmijëve që nuk mund të shkojnë në shkollë, pasi janë të ngujuar; kur shohim viktimat e përditshme të aksidenteve rrugore, të cilat u përafrohen atyre të një lufte; kur krimi në familje ka marrë përmasa të frikshme; kur në polici misioni kryesor i saj parandalimi, nuk përmendet minimalisht as si term”.
#