Në përvjetor, policia merr 297 mjete të reja
Aktiviteti
Ato i janë shpërndarë rolit bazë në të gjithë vendin
Pas një sërë problemesh, policia arrin të marrë 297 mjete të reja për shërbimet e saj. Ceremonia për dhurimin e tyre ishte planifikuar gjatë ceremonisë për 97-vjetorin e policisë, por është bërë vetëm për mjetet. Ajo u zhvillua në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”, ku u shpërndanë 297 automjeteve të reja të blera me fonde nga buxheti i shtetit për Policinë e Shtetit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si edhe drejtues të tjerë të strukturave vendore të policisë. Gjatë fjalës së tyre, zv.ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentuan faktin se është hera e parë që bëhet e mundur blerja e një sasie të tillë kaq të konsiderueshme automjetesh për Policinë e Shtetit. Po ashtu, ata theksuan se të 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa ¼ e mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë. “Kjo sasi automjetesh do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit”, theksoi Burgaj. 297 automjetet e shpërndara gjatë ditës së djeshme janë të destinuara për të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve në vend, kryesisht për strukturat e shërbimeve të policisë së rendit dhe qarkullimit rrugor. 90 nga automjetet e reja, të financuara nga buxheti i shtetit, u janë shpërndarë drejtorive të policive në qarqe për t’u vendosur në dispozicion të strukturave të shërbimit të policisë rrugore. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë në dispozicion të strukturave të shërbimit të patrullave të përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të gjitha automjetet e shpërndara gjatë ceremonisë së djeshme janë të uniformizuara, të pajisura me logot dhe të gjitha shenjat e Policisë së Shtetit. Meqenëse ceremonia e shpërndarjes së këtyre automjeteve përkon edhe me 97-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u përcolli urimet e tij për këtë festë të gjithë punonjësve të policisë dhe familjeve të punonjësve të rënë në krye të detyrës.
#