Zgjerohet ndjeshëm harta e përmbytjes
Uji fillon të tërhiqet nga qyteti i Shkodrës, por përparon në Bërdicë dhe Bushat
Krerët e qeverisë thonë se më e keqja kaloi, por harta e përmbytjes është zgjeruar dje, në të parën ditë për këtë vit kur shkodranët arritën të shihnin diellin dhe qiellin e kaltër. Niveli i ujërave në Drin dhe Bunë raportohet i ulur krahasuar me një ditë më parë, por në zonën e Nënshkodrës, në veçanti në Bushat dhe Bërdicë ka pasur shtim të sipërfaqeve të tokave dhe shtëpive që janë përmbytur. Këto zona kanë pësuar përmbytje si nga Drini ashtu dhe nga Buna, pasi ndodhen në zonën ku dy lumenjtë bashkohen.
Uji përparon në Bërdicë e Bushat
Fakti që argjinatura mbrojtëse në zonën e Bërdicës tashmë është e kapërcyer nga Buna, ka bërë që i gjithë uji të vërshojë drejt Bërdicës dhe Bushatit. Konkretisht nga 10.400 hektarë tokë e përmbytur që ishte të martën, dje kjo sipërfaqe është rritur në 11.400 hektarë. Po ashtu, edhe numri i banesave nën ujë është rritur pothuaj në të njëjtat proporcione, duke kaluar nga 2499 që ishin të martën në 2649 të mërkurën. Edhe numri të evakuuarve nga zonat e përmbytura ka pasur rritje dje, duke shkuar nga 4840 në 5148 persona.
Përmirësim në qytet
Përkundër situatës në Bërdicë e Bushat, brenda qytetit të Shkodrës situata ka filluar të përmirësohet dje. Autoritetet raportuan se në lagjet periferike të qytetit, Ajasëm, Livade, Shirokë, Zogaj dhe Xhabije, ka pasur rënie të nivelit të ujit. Rënia e nivelit të ujit ka vazhduar deri në orët e mbrëmjes. Specialistët thonë se tërheqja e ujit nga qyteti lidhet me uljen e shkarkimeve në hidrocentrale, ndërsa përparimi i ujit në Bërdicë e Bushat vjen për shkak të tejngopjes së tokës me ujë dhe rënies së pengesave që mbanin ende të thata fushat, që ndodheshin nën nivelin e ujit.
Masa kundër epidemive
Frika e epidemive në qytet, ku përqendrimi i popullsisë është i madh, ka detyruar autoritetet të marrin masa parandaluese. Ndërmarrja e Ujësjellësit në qytetin e Shkodrës ka ngritur një brez sigurie rreth 500 metra linear, me lartësi deri në 1 metër në stacionin e ujësjellësit, për të mos lejuar depërtimin e ujërave aty.
Ndërkohë, në ujërat sipërfaqësore në lagjen Xhabije, në blloqet e pallateve dhe në pusetat e ujërave të zeza dhe të bardha është hedhur dje rreth një ton klor. Nga ana tjetër është urdhëruar hedhja e dyfishit të normës së klorit në ujin e pijshëm, megjithëse analizat tregojnë se uji i qytetit nuk është ende i ndotur përtej standardeve të lejuara.
#