E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shpërngulurit e përmbytjes mbërrijnë në Durrës

Pronari i një hoteli, me origjinë nga Bërdica, strehon me shpenzimet e tij gjashtë familje

“Goja vjell e shpirti bjerr”. Kështu, i thonë një fjale andej nga zonat e përmbytura e që 30-vjeçari Jakob Shani e sjell ndër mend, teksa qëndron në një hotel në plazhin e Durrësit, i cili bujarisht ka çelur dyert për të përmbyturit. Ka mbërritur këtu bashkë me familjen natën e së martës, pasi një helikopter i mori nga qendra e Velipojës për t’i lënë në Gjadër të Lezhës e prej andej Tom Preka, pronari i hotelit, i mori me taksi për t’i strehuar në hotelin e vet. Të përmbyturit nuk duan të ndalen te shkaqet që çuan në përmbytjet masive, të cilat i detyruan të ikin nga sytë këmbët për t’i shpëtuar pushtetit të ujit e shpëtuar kokat. Me sytë lart nga qielli luten që dëmet t’u mbulohen e të mund të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpitë që nuk do të jenë më si më parë. Në Durrës, shtëpitë e pushimit të Ministrive të Brendshme dhe Mbrojtjes janë në gatishmëri për çdo nevojë që mund të paraqitet me zgjerimin e hartës së përmbytjeve në veriperëndim të vendit, ndërsa pronari i hotel “Diplomat” tek Ura e Dajlanit në Durrës ka pritur i pari me shpenzimet e veta 22 frymë, duke u ofruar akomodim, ushqim dhe ilaçe në këtë situatë të rëndë, larg shtëpive dhe të traumatizuar nga gjithçka kanë kaluar dhe po kalojnë.
Jakobi thotë se me ujërat që vërshuan në fshatin e tij dhe i bënë të dalin jashtë vetëm me leckat e trupit e asgjë tjetër u përmbytën dhe fitimet e 13 viteve emigrim në Itali. I kishte hedhur të gjitha në shtëpinë e ngritur në fshatin Luars të Velipojës. Bashkë me të janë strehuar në Durrës e ëma, Gjystja që vuan nga tensioni i lartë dhe diabeti, 3 motrat, njëra prej të cilave e sëmurë me depresion dhe vëllai i vogël. Motra e sëmurë është 25 vjeçe dhe situata e kaluar ditët e fundit e ka rënduar gjendjen e saj. është bërë agresive dhe e mbajnë të mbyllur në një dhomë të hotelit. Natën është përpjekur të largohet. Drejtori i spitalit dhe psikiatri me ndërhyrjen e deputetit Igli Cara kanë ardhur ta vizitojnë atë dhe të gjithë anëtarët e gjashtë familjeve që janë strehuar në Durrës. Në bazë të recetave të lëshuara nga mjekët janë marrë dhe medikamentet mjekësore për të renë, nënën e saj dhe të tjerë që vuajnë nga sëmundje kronike. Gjyste Shani, 54 vjeçe, nënë e 5 fëmijëve, tregon se si i mbijetuan ujit. Rrëfimi i saj dhe i fëmijëve duket si një film. Përpjekja për të shpëtuar orenditë shtëpiake, pastaj kafshët e pastaj veten.
Qëndrimi në një barakë të ftohtë e pa drita për 3-4 ditë, pastaj sistemimi në një hotel të akullt në Velipojë, ecja nëpër mal për t’i shpëtuar mbretërisë së ujit, fluturimi i shkurtër i shpëtimit me helikopter e mbërritja në Durrës. Një itinerar që ata e tregojnë dhe nuk e besojnë. Kryefamiljari, pasi ka sistemuar familjen, ka marrë sërish rrugët drejt fshatit në ujë e ata nuk kanë asnjë lajm prej tij. Mine Zadrima, nga fshati Samrish i Dajçit, tregon si kërkoi ndihmë në media. “Që më 4 janar kam lanë shpin, thitë, lopët e pulat. Kam dasht me shku, po ushtria s’len njeri me hy n’fshat. S’dim gjo ça gjejm atje”. Në dhomën ku janë mbledhur për të pritur vizitat e ndihmat e sjella nga kryebashkiaku Vangjush Dako dhe deputeti Igli Cara është dhe i riu Dorian Vasa. I shqetësuar thotë se prindërit i kanë mbetur në Mushan, pasi nuk donin ta braktisnin shtëpinë. Të gjithë janë bashkë e falënderojnë Tomën që u çeli dyert, ndërsa ai nuk di të thotë faturën financiare, përveç faktit se deri më tani, vetëm për transportin e tyre dhe ilaçet, ka shpenzuar 1,4 milionë lekë të reja. Të tjerat nuk do t’i llogarisë. Ai e di hallin e tyre. është nga Bërdica dhe pse jeton në Durrës prej vitesh. “Pastaj jemi njerëz e duhet të ndihmojmë. Një ditë mund të gjendemi dhe ne në hall”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›