E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Ambasadori grek: Shumë emigrantë po kthehen në Shqipëri



Kriza greke po detyron një pjesë të mirë të emigrantëve shqiptarë që punojnë në shtetin fqinj të kthehen në Shqipëri. Agjencia e lajmeve "Reuters" në një intervistë me ambasadorin grek në Shqipëri, Nikolaos Pazios, konstaton fenomenin duke shtuar se të qenit pjesë e BE-së nuk zgjidh problemet. "Shumë prej tyre po kthehen. Mbase janë të zhgënjyer nga Greqia, kanë probleme administrative ose mendojnë se situata po përmirësohet në Shqipëri", shprehet ambasadori. Shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të forcës punëtore të huaj në Greqi, me një numër rreth 800 mijë shqiptarë, shumica në sektorin e ndërtimit, agrikulturës dhe turizmit. Sipas "Reuters", ambasadori grek shprehet se është ende herët për të folur për një kthim në numër të madh. Një tjetër zyrtar grek në rajon është shprehur se shqiptarët po largohen përkohësisht, por numri i saktë mbetet i paqartë. "Pas rënies së regjimit komunist - shkruan 'Reuters', - shumë shqiptarë iu drejtuan Greqisë për t'i shpëtuar varfërisë. Grekët investuan në Shqipëri, duke dominuar tregun me rreth 1.2 miliardë dollarë dhe u bënë partneri i dytë tregtar. Tani, shumë shqiptarë i frikësohen krizës, e cila mund të detyrojë disa nga bizneset greke të kthehen në Greqi ose të zvogëlojnë investimin. Shumë prej emigrantëve dërgonin një pjesë të fitimit të tyre në Shqipëri, një kontribut vital, por vendin me një popullsi 3.3 milionë banorë. Remitancat ranë 6.4% në 780 milionë euro në 2009-ën krahasuar me 2008-ën. Greqia ka qenë një ndër përkrahëset për pranimin e Shqipërisë dhe vendeve ish-Jugosllave në Bashkimin Evropian deri në 2014-ën, një datë që duket mjaft optimiste për momentin. Ambasadori Pazios u shpreh se problemet e fundit ekonomike të Greqisë përmbajnë në vetvete një mesazh të hidhur për Shqipërinë, e cila aplikoi për anëtarësim vitin e kaluar, ashtu si një pjesë e mirë vendeve të rajonit. Nga ana tjetër, me ndihmën që Greqia përfitoi së fundmi pritet që t'i jepet një shtytje ekonomisë, e cila mund të kufizojë efektet tek pjesa e emigrantëve që punojnë në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›