E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, bllokohet në KRRT projekti për sheshin kryesor



KORçE - Investimi që Bashkia e Korçës parashikon të kryejë për rikonstruksionin e qytetit, pasi është rrëzuar në dy mbledhje të Këshillit Bashkiak, bllokohet edhe në KRRT. Mbledhja e KRRT-së së kësaj bashkie e zhvilluar ditën e martë, ka pasur debate midis kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi, dhe disa anëtarëve të këtij organi vendimmarrës për projektet e infrastrukturës në qytet. Rikonstruksioni i sheshit para katedrales së qytetit duket se është vënë në vështirësi, pasi nga ana e bashkisë nuk sigurohet aprovimi si nga Këshilli Bashkiak, ashtu edhe nga KRRT-ja. Përfaqësues të saj nga Këshilli i Qarkut, që janë nga forcat e djathta politike, edhe pse nuk kanë ngritur vërejtje si specialistë dhe nga ana teknike për këtë projekt, janë shprehur kundër zbatimit të tij. Debate dhe replika ka pasur në mbledhje midis kryetarit të bashkisë dhe specialistëve që janë përfaqësues të qarkut apo prefekturës në KRRT-në e bashkisë, derisa këta të fundit edhe pse në minorancë u larguan nga mbledhja. Kryetari i Bashkisë së Korçës, e quajti këtë qëndrim bllokues për rikonstruksionin e sheshit kryesor të qytetit si të nxitur politikisht. "Ata që do të kalojnë në sheshet dhe rrugët e Korçës nuk janë as të kuq dhe as blu me përkatësi partiake, por qytetarë të Korçës dhe vizitorë të saj, prandaj nuk ka arsye të bllokohet ky projekt", u shpreh kryetari i bashkisë, Niko Peleshi. Ndonëse KRRT-ja e Korçës mund të miratojë vendimet me shumicë votash, edhe pa prezencën e forcave të djathta, sipas Peleshit, do të këmbëngulet për aprovimin e tyre të rregullt dhe mirëkuptimin e të djathtëve pa tendencë politike. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›