E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat, abuzimi nis nga kriteret



Pranimi i ofertave anomalisht të ulëta që prekin cilësinë e punimeve, vendosja e kritereve të caktuara për të favorizuar operatorë të ndryshëm apo zhvillimi i tenderëve pa përcaktuar saktë një fond limit, janë disa nga problematikat që Avokati i Prokurimeve ka hasur gjatë vitit 2009. Kreu i këtij institucioni, Altin Qoshja, prezantoi dje para Komisionit të Ekonomisë Raportin Vjetor 2009. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, u interesua lidhur me mënyrën e vlerësimit të ofertave anomalisht të ulëta, duke cilësuar se kualifikimi i tyre shpesh sjell punime me cilësi të dobët. "Ligji për ofertat minimalisht të ulëta e ka të shpjeguar qartë se është e drejta e autoritetit kontraktor të ofertojë me vlerën që ka". Kur del oferta minimalisht e ulët, atëherë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet t'i thërrasë operatorët ekonomikë dhe t'iu kërkojë atyre shpjegime pse kanë dalë me këtë ofertë të ulet. Dhe kur operatori është bindës për këtë komision, atëherë është komplet kompetencë e tij që t'i marrë këto oferta për bazë, ose t'i eliminojë", shpjegoi Qoshja. Ai theksoi se gjatë vitit 2009 janë hasur një sërë problematikash që lidhen me punën e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët nuk e zbatojnë këtë anë proceduriale për t'i kërkuar shpjegime një operatori se pse ka dalë me X ofertë ose e zbatojnë me mangësi të qëllimshme. Në raportin e Avokatit të Prokurimeve, lidhur me këtë pikë thuhet se "Janë konstatuar raste kur autoritetet përkatëse dërgojnë kërkesën për shpjegime të ofertave anomalisht të ulëta, por nuk u japin operatorëve afat të mjaftueshëm për përgatitjen e informacionit të kërkuar. Në raste të tjera, megjithëse autoritetet kontraktore kërkojnë shpjegime me shkrim për ofertat anomalisht të ulëta, nuk këshillohen me operatorët për informacionin e paraqitur, por bëjnë refuzimin e ofertave pa dhënë argumente tekniko-ekonomike mbi arsyet e refuzimit", thuhet në raport. Kreu Altin Qosha gjithashtu, u ndal edhe në bashkëpunimin me autoritetet e tjera të përfshira në sektorin e prokurimeve publike, duke cilësuar se bashkëpunimi nuk është në nivelin më të mirë, por gjithsesi ekziston.
Favorizimi në tenderë
Deputeti Shefedin Shehu kërkoi dje nga kreu i institucionit të Avokatit të Prokurimeve një shpjegim lidhur me mënyrën se si bëhen favorizimet e operatorëve, pavarësisht sistemit elektronik. Qoshja theksoi se ligji "Për prokurimet publike" nuk lë hapësira që të ketë favorizime, por nga ana e autoriteteve përdoren të tjera mekanizma. "Vendosja e kritereve klienteliste që një operator ekonomik i plotëson dhe një tjetër jo, është mënyra e vetme se si mund të favorizohet një operator gjatë një procedure prokurimi", u shpreh Qoshja. Ai theksoi se në raportin e vitit të kaluar të Avokatit të Prokurimeve preket edhe kjo problematikë. "Fenomen shqetësues gjatë vitit 2009 i evidentuar në një numër të konsiderueshëm ankesash të shqyrtuara, ka qenë vendosja nga autoritetet kontraktore e kritereve kualifikuese në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit. Një numër i madh ankesash ka pasur si objekt kërkesën për modifikim dokumentesh, për faktin se autoritetet kontraktore vendosin kritere kualifikuese, që krijojnë premisa për shmangien e konkurrencës dhe njëkohësisht favorizojnë subjekte të caktuara", thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›