E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-presidenti Clinton viziton sot Kosovën

Institucionet e kanë vlerësuar historike këtë vizitë dhe kanë paralajmëruar pritje madhështore për mikun e madh të Kosovës. Vizita e Bill Clinton është cilësuar si vizitë historike nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili vlerësoi se me këtë rast institucionet kosovare po i bëjnë një mirënjohje të kamotshme Bill Clinton, njeriut i cili bëri shumë për lirinë e Kosovës u shpreh Thaçi. Bill Clinton do të qëndrojë në Prishtinë me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi.

“Kontributi i presidentit Clinton për Republikën e Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i administratës së tij dhe te gjitha qeverive të Amerikës, të popullit amerikan, është i jashtëzakonshëm. Kjo është një mirënjohje e institucioneve tona, e shtetit të Kosovës, e popullit të Kosovës, për kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Clinton, për rolin e tij për lirinë e Kosovës, për demokracinë, për paqen e stabilitetin në rajon, prandaj rëndësia është historike”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërsa presidenti, Fatmir Sejdiu në mesazhin e tij me rastin e vizitës së Presidentit Bill Clinton në Kosovë, ka ftuar institucionet dhe qytetarët e vendit për t’i bërë një pritje madhështore këtij miku të madh të vendit tonë.

“Republikën e Kosovës nesër e viziton Presidenti Bill Clinton, njeriu i cili i priu angazhimit më të madh humanitar të botës moderne për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike. Duke i pasur parasysh meritat e tij të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si president i vendit, ju ftoj që këtë të diel t’i bëjmë një pritje madhështore, ashtu siç na ka hije, Presidentit Clinton”, thuhet në mesazhin e presidentit Sejdiu, për të vazhduar se “Republika e Kosovës do t’u jetë përherë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Clinton, i cili, në çastet në të rënda të historisë sonë, udhëhoqi aleancën e madhe të vendeve demokratike e liridashëse të botës për ta ndaluar makinerinë gjenocidale të Millosheviqit, e cila po e dëbonte popullin e Kosovës nga vatrat e veta, si dhe po i shndërronte fshatrat e qytetet tona në tokë të djegur”, thuhet mes tjerash në mesazhin e presidentit Sejdiu.

Edhe pse nuk është dhënë ndonjë agjendë e saktë rreth qëndrimit dhe aktiviteteve të vizitës së Bill Clinton, Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate njofton se Drejtoria rajonale e trafikut tashmë ka marr të gjitha masat për ditën e nesërme.
“Në këtë vazhdë edhe njësia rajonale e trafikut Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe ri-drejtimit të trafikut”, thuhet në komunikatën e policisë

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, kishte vizituar për herë të parë Kosovën, në vitin 1999, menjëherë pas lufte, ku kishte mbajtur një fjalim në Ferizaj.
Në vitin 2003 në vizitën e tij të dytë në Kosovë, Clinton ishte nderuar me çmimin Doktor nderi të Universitetit të Prishtinës. Ndërsa vizita e tij e nesërme shënon ardhjen e tertë të Clinton-it në vendin tonë, me ç’rast do të bëhet përurimi i shtatores së tij. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›