E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi/Ballkani, i përfshirë nga tkurrja buxhetore – vetëm Shqipëria me rritje pagash e pensionesh

Rumania - Nga 1 qershori fillojnë shkurtimet për Rumaninë. Qeveria rumune pritet të zbatojë ulje drastike në pensionet dhe pagat në sektorin shtetëror në qershor, por këto masa nuk do të prekin shtresat në nevojë, pohoi Kryeministri i vendit, Emil Boc. “Paga minimale dhe pensionet minimale nuk do të ndikohen nga masat për reduktimin e kostove. Në fillim të muajit maj, qeveria njoftoi se do të reduktonte pagat dhe pensionet në sektorin publik për të arritur objektivat për deficitin buxhetor dhe për të zbatuar kushtet e marrëveshjes shpëtuese prej 20 miliardë eurosh të udhëhequr nga FMN-ja.
Duke filluar nga 1 qershori, pagat e sektorit shtetëror do të reduktohen me rreth 25% dhe pjesa më e madhe e tyre do të ndikohen nga kjo masë. Përfitimet e papunësisë dhe pensionet do të reduktohen me 15%. Qeveria gjithashtu planifikon të indeksojë pensionet me inflacionin, sesa me pagat mesatare siç vepron aktualisht, të rrisë moshën e daljes në pension dhe të eliminojë pensionet speciale që i jepen një kategorie të caktuar të vendeve të punës. Ndërkohë, gjatë katër muajve të parë të këtij viti, deficiti buxhetor në Rumani u rrit me pothuajse 4 miliardë lei (1 miliard euro) në 12.1 miliardë lei, ose 2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), bëri të ditur Ministria e Financave. Qeveria synon të arrijë një deficit buxhetor prej 6.8% të PBB-së këtë vit. Vendi i goditur nga recesioni që mbështetet në një paketë ndihmëse prej 20 miliardë eurosh të udhëhequr nga FMN-ja, është angazhuar të bëjë shkurtime drastike, në mënyrë që t’i përmbahet objektivave për
deficitin dhe të rigjallërojë ekonominë, e cila vazhdoi të tkurrej në tremujorin e parë. FMN kohët e fundit e ka reduktuar parashikimin për rritje ekonomike në Rumani në 0.8% këtë vit, teksa ekonomia në zhvillim ende po del nga një tkurrje e dhimbshme prej 7.1% në 2009-n.
Maqedonia - Edhe Maqedonia i ka filluar reduktimet. Ajo do të kryejë shkurtimet e para buxhetore të këtij viti në qershor, por duhet ende të vendosë se sa shumë dhe ku do të shtrëngohet rripi, njoftoi ministri i Financave, Zoran Stavreski. Ministria aktualisht po kryen konsulenca me institucionet përkatëse dhe së shpejti do të japë një shifër përfundimtare. “Ne po bëjmë analiza dhe në këtë fazë mund të them se asnjë institucion ose projekt nuk do të përjashtohet. Do të ketë shkurtime në të gjitha institucionet dhe pothuajse të gjitha projektet, po kjo nuk do të thotë se ne nuk do të arrijmë të zbatojmë projektet deri në fund të vitit”, nguli këmbë Stavreski. Parashikimet aktuale buxhetore janë për një total të ardhurash prej 2.34 miliardë eurosh dhe shpenzimet prej 2.51 miliardë eurosh. Pritet një deficit prej 170 milionë eurosh, apo 2.5% e PBB-së. Rritja në kahun e të ardhurave dhe shpenzimeve arrin në 3.4 dhe 2.8% përkatësisht. Qeveria parashikon një rritje prej 2% të PBB-së këtë vit, me një normë inflacioni vjetore prej 2%. Partitë opozitare kanë kundërshtuar qeverinë për shpenzimet e saj të tepërta në një vit krize, duke thënë se pjesa më e madhe e parave duhet të shkurtohet nga projekte joproduktive, si ngritja e monumenteve, stadiumeve sportive dhe muzeve. Tome Nenovski, një profesor në Shkup në Kolegjin Amerikan, theksoi se balancimi i buxhetit ishte i zakonshëm në mesin e vitit, veçanërisht në një vit kur efektet e krizës ekonomike globale po ndihen ende, së bashku me krizën e fundit të borxhit të fqinjëve në Greqi. “Unë besoj se shkurtimet e buxhetit do të jenë rreth 20-150 milionë euro, por situata ndryshon në bazë ditore dhe nuk do të ishte habi nëse një ribalancim i ri mund të kërkohej nga shtatori”, tha Nenovski. Vitin e kaluar, ekonomia e Maqedonisë vuajti ndjeshëm nga kriza financiare globale. Ekonomia e Maqedonisë në 2009-n kaloi nga një rritje e mëparshme prej 6% në një rënie prej 0.7%. Si rrjedhojë qeveria është angazhuar të ngrijë pagat dhe të rregullojë praktikat e punësimit në sektorin publik.
Serbia - Në Serbi, pagat mbeten të ngrira. Përfaqësues të qeverisë serbe dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë arritur marrëveshjen për rishikimin e katërt të marrëveshjes në dispozicion, që do t’i mundësojë Serbisë të tërheqë rreth 380 milionë euro. Ministrja serbe e Financave, Diana Dragutinovic, tha se për shkak të rritjes së ngadaltë ekonomike në Serbi, u ra dakord të rritej deficiti buxhetor, që u shkaktua nga një mungesë e të ardhurave publike. Ajo tha se rritja e ngadaltë ekonomike ka bërë që të rishikohen në ulje
pritshmëritë për rritjen ekonomike nga 2 në 1.5% këtë vit dhe nga 4 në 3% në vitin 2011. U ra gjithashtu dakord që pagat në sektorin publik dhe pensionet do të mbeten të ngrira këtë vit, por 6.5 miliardë dinarë do të lihen mënjanë për kategorinë më të brishtë të popullsisë – përfshirë kategori pensionesh dhe punonjës në sektorin publik, po ashtu dhe për bashkitë e varfra. Pensionet bujqësore që u ka kaluar afati do të paguhen gjithashtu, u shpreh ministri. Në bazë të marrëveshjes në dispozicion, që FMN-ja e miratoi më 15 maj 2009, Serbisë iu miratua një hua prej 2.87 miliardë eurosh për fuqizimin e rezervave të saj valutore. Gjatë prillit të këtij viti, delegacioni i FMN-së lejoi që 180 milionë euro nga kjo hua të disbursoheshin. Albert Jaeger, kreu i misionit të FMN-së, u tha gazetarëve se viti 2010 dhe 2011 do të ishin shumë të vështirë për Serbinë për shkak të rritjes së ulët dhe rimëkëmbjes së ngadaltë ekonomike dhe se vendi duhet të reduktonte shpenzimet publike dhe të forconte disiplinën fiskale, në mënyrë që të përballej me rritjen e ngadaltë. Ai shtoi se qeveria pritet të hartojë projektligje për sistemin e pensioneve dhe për disiplinën fiskale deri në fund të këtij viti. Duke folur rreth kursit të këmbimit të dinarit, Jaeger tha se kursi luhatës i këmbimit e ndihmoi Serbinë të luftonte efektet negative të krizës globale dhe të nxiste eksportet nga vendi, “edhe pse shumë në vend nuk ishin të kënaqur me rënien e monedhës kombëtare”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›