E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Kosovë rikthehet nevoja për një ligj të pastrimit nga e kaluara titiste

Me gjithë përpjekjet, në aspektin institucional ende nuk është arritur asgjë lidhur me procesin e lustrimit. Sipas disa deputetëve, vendi është vonuar me këtë proces, por sociologët thonë se çështja nuk bën të hapet tani. Në Kosovë, lustrimi është një term jo shumë i njohur politik. Ky nocion rrjedh nga fjala latine - lustrato, lustrare, që do të thotë pastrim. Në literaturë, lustrimi ka dy kuptime: kuptimin historik dhe atë modern.
Si term historik, lidhet me ritet e romakëve dhe grekëve të lashtë nga pastrimi i mëkateve. Ndërsa, versioni modern lidhet me kufizimin e përkohshëm të spiunëve dhe informatorëve të policisë sekrete në detyrat e shërbimit civil, në procesin e dekomunizimit të një vendi. Për një proces të këtillë, edhe në Kosovë ka pasur përpjekje, ndonëse deri më tash, në aspektin institucional nuk është arritur gjë. Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se institucionet e vendit nuk po bëjnë përpjekje për hartimin e një ligji, apo edhe nxjerrjen e një rezolute për procesin e lustrimit. Sipas tyre, është koha që institucionet e vendit të veprojnë në këtë drejtim. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, i cili ndryshe njihet edhe si inicues i një kallëzimi penal kundër atyre që ai i quan bartës të pushtetit komunist, thotë se Kosova, pas pavarësimit të saj, nuk ka bërë asnjë hap rreth çështjes së lustrimit, gjë që, sipas tij, është shumë e rëndësishme për vendin. Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, në të cilën gjendet Kosova, ai thotë se miratimi i një rezolute për lustrimin, do t’i ndihmonte shumë të ardhmes së vendit. “Kuvendi i Kosovës është organi kryesor, i cili duhet të marrë vendim që ta miratojë rezolutën, e t’i nxjerrë edhe ligjet. Ne nuk jemi për atë që t’i vëmë në bankën e të akuzuarve dhe t’i dënojmë për krime”. “Por, ne jemi që, të paktën, në vendet dhe institucionet e përgjithshme, në vendet publike, këta njerëz që kanë qenë vendimmarrës, që kanë qenë bashkëpunëtorë e që kanë urdhëruar, të mos jenë pjesë e figurave publike, siç është Parlamenti, Qeveria, Presidenca, Drejtësia, Policia... janë edhe burgjet”, thotë Hasani. Kosova është një shtet i ri dhe, sipas Hasanit, ai duhet të ndërtohet në baza të shëndosha. Andaj, shton Hasani, është koha që të ndërmerren hapa në këtë drejtim, duke filluar me, siç shprehet, dënimin e krimeve nga koha e komunizmit. “Ne, në rrethanat e sotme, të dalim me këto kërkesa: dënimin e krimeve të komunizmit, masakrave, dhunës, terrorit, burgosjeve, keqtrajtimeve, internimeve, shpërnguljeve që i ka bërë sistemi komunist, masakrës së Tivarit... Pastaj, kemi aksionin e armëve, kemi Goliotokun, kemi shpërnguljen për Turqi, kemi demonstratat etj”, shprehet Hasani.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, shpreh mendimin se çështja e lustrimit në Kosovë është e vonuar. Ai, madje, e vlerëson Kosovën si një rast të veçantë në këtë çështje. “Kosova është vonuar, sepse ndodhet në një gjendje sui-generis. Mendoj se duhet të merren parasysh rrethanat specifike të secilit vend. Kosova, mendoj se duhet ta ketë parasysh qasjen e kësaj sfide shumë të ndërlikuar dhe shumë delikate, së paku në disa komponentë”. “Kjo, sepse fjala është për krime që kanë ndodhur në regjime të ndryshme, jo vetëm nga një sistem - krime të regjimeve totalitare, çfarëdo qofshin ato, krime të padënuara deri më tash. Në rastin e Kosovës, këto krime kanë qenë të regjimeve totalitare, shoviniste e komuniste”, thotë Hyseni. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës fillimisht duhet të nxjerrë një rezolutë për lustrimin, që do të shërbente si bazë për të vazhduar më tej me procedurat e hartimit të ligjeve. Hyseni shpreh bindjen se Kosova, krahasuar me vendet e rajonit, do ta kalojë më shpejt këtë proces, sado që ai paraqet një sfidë për institucionet. Mirëpo, Nait Hasani shpreh tjetër mendim. Sipas Hasanit Kosova do të hasë në vështirësi, sepse pavarësisht faktit që është shtet i pavarur, mentaliteti i njerëzve, thotë ai, vazhdon të mbetet i njëjtë. “Jemi shtet, por mentalitetin nuk e kemi ndryshuar. Përderisa nuk e ndryshojmë mentalitetin, i njëjti mentalitet vazhdon në sundimin e qenies. Kjo është arsyeja kryesore që njerëzit, të cilët i kemi për ta shtyrë këtë proces, janë ose familjarë të afërm ose fqinj, dhe ata tash tentojnë ta mbrojnë”. Nga ana tjetër, sociologët thonë se Kosova, tash për tash, nuk mund ta hapë çështjen e lustrimit, pasi, sipas tyre, vendi ndodhet para shumë sfidave dhe problemeve. Anton Berisha, sociolog dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, vlerëson që nëse një proces i tillë hapet tash, mund të ndodhë dukuria e revanshizmit të njerëzve. Këshilli i Evropës ka aprovuar kohë më parë dy rezoluta: Rezolutën nr.1481 në vitin 2006 dhe Rezolutën nr.1096 në vitin 1996. Këshilli i Evropës, përmes rezolutave, kërkon që gjatë hartimit të Ligjit të lustrimit të respektohen parimet e një shteti ligjor, zbatimit të ligjeve të lustrimit, apo të masave administrative përkatëse. Sipas këtyre rezolutave, disa nga orientimet themelore duhet të jenë: lustrimi të drejtohet kundër rreziqeve që kanosin respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe proceset demokratike; hakmarrja nuk duhet të jetë objektiv i këtyre ligjeve dhe duhet të evitohet përdorimi i tyre për qëllime politike e sociale; lustrimi nuk duhet të ketë për qëllim të sanksionojë prezumimin e fajtorëve, por të mbrojë demokracinë e re që lind.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›