Kapitalizmi post-sovjetik dhe ngutjet ballkanike të tregut kapitalist
Rasti i Hungarisë i ngjan atij grek. Në të dyja vendet, opozita (socialiste në Greqi, dhe liberal-konservatore në Hungari) fitojnë zgjedhjet, por pas pak kuptojnë se nuk mund të mbajnë premtimet e tyre të dhëna gjatë fushatës elektorale. Për të shkundur përgjegjësitë e sakrificave që do u kërkohen bashkëqytetarëve të tyre, ata denoncojnë mëkatet e paraardhësve të tyre; paçka se një taktikë e tillë alarmon bursat ndërkombëtare, vështirëson menaxhimin e krizës dhe detyron qeverinë e Budapestit të korrigjojë, për të qetësuar tregjet, prognozën negative të njërit prej anëtarëve të saj. Prej të dy pacientëve, Hungaria, e cila ka një borxh publik të barabartë me 78% të prodhimit të brendshëm bruto (GDP) - çka është më mirë sesa Greqia që e ka prodhimit të brendshëm bruto në (115%) - për ne ka avantazhin se nuk është anëtare e Eurozonës. Por vështirësitë e saj mund të lajmërojnë kriza të tjera të vendeve ish-satelitë të perandorisë së kuqe sovjetike. Ekonomia polake, pavarësisht nga kriza, vazhdon të rritet dhe vendet e Baltikut janë të afta për një disiplinë më të fortë sociale. Por në secilin prej shteteve ish-satelite, të cilët zbarkuan në plazhet e BE-së në vitin 2004, është ndërtuar me ngut një kapitalizëm post-sovjetik pas rënies së murit të Berlinit. A ekziston një rrezik për një krizë rajonale, e zgjeruar veçanërisht me vendet e tjera të Danubit dhe Ballkanit?
Kur rifituan lirinë, satelitët e vjetër, menduan se duhej shpërbërë ekonomia e vjetër shtetërore e periudhës komuniste, për të zgjedhur një model të ri zhvillimi ekonomik.
Ata zgjodhën, siç ndodh në këto rrethana, modelin e fitimtarëve dhe u përpoqën të imitonin modelin perëndimor në një fazë kur ortodoksia e re ekonomike ishte ajo e predikuar nga "tregtarët" anglo-amerikanë dhe “doracaku i kapitalistit të mirë” ishte ajo e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pra ishte e nevojshme të privatizoje, liberalizoje, të mbylleshin industritë e vjetruara, të braktiseshin aktivitetet që ishin të dobishme vetëm për tregtinë e Comecon (ekuivalentja komuniste mediokre e Tregut të Përbashkët). Por nuk ishte e mundur të injoroje kornizat tekniko-administrative të ekonomisë së vjetër, të burokracisë shtetërore, shërbimet e sigurisë, të minatorëve, të fshatarëve, të punëtorëve të industrisë së çelikut, industritë e luftës dhe të ndërtimit detar, përkatësisht me një masë të punësuarish, të cilët ishin të mbështetur dhe të subvencionuar nga regjimi komunist, e që i kishte akumuluar gjatë dekadave të mëparshme.
Rezultati i këtyre kërkesave kontradiktore ishte e ndryshme nga shteti në shtet dhe sot pasqyron konditat ekonomike, sociale e kulturore të këtyre vendeve. Në pothuajse të gjitha vendet ish-satelite komuniste sovjetike u përjetua e njëjta dukuri: pasuritë e reja, të fituara shumë shpejt, kanë një kriminalitet të ri, kanë një korrupsion më të gjerë dhe shoqërohen me parti populiste, shpesh trashëgimtare të forcave nacionaliste e raciste që ekzistonin në rajon para Luftës së Dytë Botërore. Ka pasur edhe shumë përparime të cilat nuk do të ishte e drejtë t’i nënvlerësonim. Por shpenzimet publike ishin më të larta sesa mundësia e tyre ekonomike për t’i shlyer, veçanërisht në arealin e Danubit, të cilat shfaqen të jenë të brishtë dhe të pambrojtur.
Edhe një herë tjetër, si në pranimin e Greqinë në eurozonë, ne duhet të pyesim nëse do të ishte më mirë të kishim arritur zgjerimin në kohë të tjera dhe me formula të tjera. Jacques Delors, Kryetari i Komisionit deri në fillim të viteve të 90, mendonte për një konfederatë europiane në të cilën mund të bashkëjetonin, me rregulla të ndryshme, thelbi perëndimor i të vjetërve dhe ai i atyre të sapoardhurve. Por politikanët nuk i dhanë të drejtë kësaj ideje.
(Corriere della Sera)