Ish-presidenti Lushnjes, drekë me deputetin e PD-së
Autori i Lajmit: RedaksiaOrtaku i Aldo Bares i arrestuar të enjten, drekonte me një deputet të Partisë Demokratike në momentin që ndaj tij ndërhynë efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale (GOS) të Policisë së Shtetit për ta arrestuar.
Ai nuk ka bërë asnjë rezistencë ndërsa duket se deputetit i ka rënë barra të paguante edhe drekën jo pak të shtrenjtë që ata po konsumonin në një prej restoranteve të shtrenjtë që ndodhen në rrugën "Dervish Hima", pas stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". Lajmi është bërë i ditur nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët pohuan se Bego dhe deputeti i maxhorancës ishin në një prej tavolinave të restorantit ndërsa nuk kishin mundur të mbaronin as porositë e para të mbërritura në tavolinë kur një grup efektivësh të GOS, u afruan në lokal dhe i kërkuan ish- presidentit të ekipit të Lushnjes të shkonte me ta i prangosur. Deputeti i maxhorancës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, ka mbetur i shtangur kur ka parë që miku i tavolinës së tij është prangosur para syve të tij pa mundur ta ndihmonte. Efektivët i kanë pohuar se për të kishte një vendim arresti të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë që kishte nisur për të procedurat e njohjes së vendimit Gjykatës së Apelit të Torinos që e dënonte atë me 13 vite burgim bashkë me Enver Dondollakun dhe pjesëtarë të një grupi prej 26 personash të cilësuar si anëtarë të organizatës së trafikut të drogës së drejtuar nga Aldo Bare (Alfred Shkurti). Pas shoqërimit të tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, një hetues i kësaj drejtorie i ka komunikuar Begos, arrestimin pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, që kishte nisur procedurat e njohjes së vendimit të dhënë në vitin 2008 ndaj tij në Itali.
Gjurmimi
Pavarësisht faktit se ai ishte i padënuar, efektivët e Policisë së Shtetit dhe të bluve të Tiranës e kanë mbajtur në mënyrë të vazhdueshme në vëzhgim Begon. Kohët e fundit, një femër e njohur si e dashura e një prej të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, ishte ajo që shoqërohej më tepër me Begon. Madje kjo e fundit është ndjekur dhe mbajtur në përgjim nga efektivët e Policisë së Shtetit, falë së cilës Edmond Bego, i njohur edhe me emrat e ndryshuar Manol Bego, Sajmir Sina etj, ka qenë gjithmonë para syve të agjentëve të njësisë së vëzhgimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Të njëjtat burime pohuan se femra, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur nga policia, në mënyrë të vazhdueshme mbahej nën vëzhgimin e njerëzve të Policisë, për të ndjekur lëvizjet e saj duke qenë se kishte informacione nga policia se ajo shoqërohej me Begon pasi ishin miq mes tyre. Ky gjurmim ka bërë që vetëm pak kohë pasi ishte firmosur vendimi i arrestit nga Gjykata e Tiranës, Bego të vihej në pranga prej GOS. Pas këtij arrestimi, pritet që në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet të nisë edhe procesi penal i njohjes së vendimit të drejtësisë së autoriteteve italiane që dënon Begon me 13 vite burg për krimin e trafikut të drogës në bashkëpunim në kuadër të organizatës kriminale.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2009