Jaka: Zvarritja e koncesioneve po pengon investitorët e huaj
Pavarësisht reformave, sërish vërehen probleme në fushën e koncesioneve. Pas Avokatit të Prokurimeve, është një tjetër institucion që ngre shqetësimin me vonesat në sektorin e koncesionit. I pranishëm në forumin ekonomik të “Crans Montana”-s, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, vuri në dukje problemet kryesore që e shqetësojnë sot biznesin. Duke folur para investitorëve të huaj, ku nuk mungon anëtarët ministra të kabinetit “Berisha”, Jaka tha se, pavarësisht zhvillimeve në disa sektorë, kapaciteti i firmave shqiptare është më i madh. Duke u ndalur te koncesionet, Jaka tha se, “nëse për një koncesion çfarëdo një investitor duhet të shpenzojë një vit e gjysmë kohë, është e kotë të shpresojmë se investitorët e huaj do të zënë radhën pas derës sonë, kur në vendet e tjera portat i kanë hapur. Në shumicën e rasteve kjo ka sjellë në Shqipëri firma që mund të shpenzonin kohë për nxjerrjen e lejeve koncesionare, por që nuk kishin para për realizimin e tyre”.
Më tej, kreu i Dhomës së Tregtisë përmendi projektin e legalizimit të aseteve, i cili ka hyrë në muajin e tretë të diskutimit me zyrtarët e qeverisë dhe që tenton të fusë në kapitale miliarda dollarë. “Legalizimi i aseteve fizike të shoqërive vendase dhe kalimi në një standard të ri të ekonomisë drejt formalizimit të plotë të marrëdhënieve të tregut në Shqipëri gjithashtu do t’i japin një hop të rëndësishëm rritjes së profilit financiar të ekonomisë vendase, duke mbështetur qoftë bashkëpunimin e kompanive me bankat, ashtu edhe rritjen e besimit partnerial që sipërmarrja duhet të ketë me shtetin”, tha Jaka.
Problemet me koncesionet kanë qenë në qendër të vëmendjes për Ministrinë e Ekonomisë, duke bërë të mundur marrjen e disa reformave, por që në fakt nuk kanë sjellë rezultatin e duhur. Raporti i fundit i Avokatit të Prokurimeve vinte në dukje zvarritjen e procedurave, me qëllim për të favorizuar korrupsionin, duke zbehur disi klimën e investitorëve të huaj.
#