KLD-ja emëron gjyqtarët e apeleve në Tiranë, Durrës e Vlorë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka plotësuar vendet vakante në gjykatat e apeleve në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, duke i propozuar Presidentit të Republikës për dekretim 9 kandidatura. Në mbledhjen e djeshme të KLD-së janë miratuar edhe shtatë transferime të gjyqtarëve, duke plotësuar vendet bosh në gjykatat e apeleve në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Votimi i djeshëm është realizuar i hapur dhe kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e KLD-së, madje njëri prej tyre, Shkëlqim Miri, është transferuar nga Apeli i Durrësit në Tiranë. Përkatësisht, në Gjykatën e Apelit Tiranë, nga 87 kandidaturat e shqyrtuara, këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës për dekretim, pranë kësaj gjykate, pesë kandidatura. Emri i parë që i propozohet Presidentit është Artan Broci, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Tiranë, vëllai i Arben Brocit, dëshmorit të demokracisë. Pas tij vjen emri i gjyqtarit Astrit Haxhialushi, deri dje me detyrë si kryetar i Gjykatës së Kavajës. I treti në listë është Genti Shala, gjyqtar në Apelin e Shkodrës dhe pas tij renditet gjyqtari Gramoz Levanaj, kryetari i Gjykatës së Kurbinit. Në fund të propozimeve të KLD-së për Presidentin është emri i gjyqtarit Ridvan Hado, i cili është aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Hado kryeson prej disa muajsh procesin gjyqësor të Gërdecit dhe për të do të vendosë Presidenti nëse do e transferojë në Gjykatën e Apelit.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të transferojë në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Tiranë tre gjyqtarë. Ata janë Edlira Petri, aktualisht në Apelin Shkodër, Shkëlqim Miri, anëtar i KLD-së dhe gjyqtar në Apelin e Durrësit dhe Valdete Hoxha, aktualisht gjyqtare në Apelin e Shkodrës.
Ndërkohë, në Gjykatën e Apelit Durrës, nga 43 kandidaturat e shqyrtuara, këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës për dekretim, në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit pranë kësaj gjykate, gjyqtarin Kliton Spahiu, aktualisht kryetar i Gjykatës së Lezhës. KLD-ja vendosi të transferojë në Apelin e Durrësit gjyqtarin Izet Dushaj, aktualisht gjyqtar në Apelin e Durrësit, si dhe Petraq Dhimitrin, aktualisht në Apelin e Korçës. Më parë, Dhimitri ka qenë anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka propozuar Presidentit të Republikës edhe kandidaturat për gjyqtar në Apelin e Vlorës. Nga 22 kandidaturat e shqyrtuara, këshilli vendosi t’i propozojë Topit për dekretim pranë kësaj gjykate Andi Civicin, aktualisht kryetar i Gjykatës së Fierit; Hysen Salikon, ish-inspektor në KLD dhe emrin e Skënder Damini, aktualisht gjyqtar në Fier.
Gjithashtu, KLD-ja vendosi të transferojë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër Musa Halilin, ndërsa pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Ylli Minkën. Të dy këta gjyqtarë, për efekt të suprimimit nga ligji të Gjykatës së Apelit Ushtarak, ishin në pritje të risistemimit të tyre pranë gjykatave.
“Në vlerësim të kësaj vendimmarrjeje dhe në përputhje me dekretin e Presidentit të Republikës, ‘Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe apelit’, këshilli përcaktoi vendet që shpallen vakante në disa gjykata, për shkak të lëvizjeve brenda sistemit të gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e KLD-së.