E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish presidenti Xhimi Karter mund të vizitojë Korenë e Veriut

Ish presidenti amerikan Xhimi Karter thuhet se do të vizitojë Korenë e Veriut, me shpresën për të siguruar lirimin e një shtetasi amerikan i cili mbahet i burgosur që nga muaji janar nën akuzën se ka hyrë ilegalisht në vend. Revista Foreign Policy, duke cituar burime të afërta me zotin Karter, thotë se nëse shkon, ish presidenti 85-vjeçar do ta vizitonte Penianin si qytetar privat.

Në vitin 1994, ish presidenti Xhimi Karter vizitoi Korenë e Veriut për bisedime mbi ambicjet e vendit për armë bërthamore.

Tani ish presidenti shpreson të shkojë përsëri në vendin e izoluar por me një mision tjetër, për të siguruar lirimin e një shtetasi amerikan.

Policia koreanoveriore e arrestoi amerikanin Ajxhalon Mahli Gomes-in nga Bostoni i shtetit Masaçusets në muajin janar nën akuzën se kishte hyrë ilegalisht nga Kina. Ai u dënua me 8 vjet burg dhe me një gjobë prej rreth 700,000 dollarësh. Media zyrtare e Koresë së Veriut njoftoi muajin e kaluar se Gomesi u përpoq të kryente vetvrasje.

Departamenti amerikan i Shtetit kohët e fundit dërgoi një ekip në Penian për lirimin e shtetasit amerikan por pa sukses.

Zëdhënësi P.J. Krolli tha se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për shëndetin e zotit Gomes dhe se vazhdojnë përpjekjet në drejtim të Penianit për lirimin e tij për arësye humanitare.

Disa ekspertë thonë se vizita e zotit Karter mund të përfshinte edhe çështje të tjera përveç lirimit të amerikanit.

Lajmi i vizitës së mundshme të ish Presidentit vjen ndërkohë që Kina bën përpjekje të reja për rifillimin e bisedimeve shumëpalëshe lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe kur tensionet në gadishullin korean janë rritur.

Vitin e kaluar, një tjetër ish president, Bill Clinton, mundi të sigurojë lirimin e dy gazetareve të televizionit amerikan të dënuara nga Peniani me afata të gjata burgimi nën akuzën se ishin përpjekur të hynin në Korenë e Veriut nga Kina.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›