Ish-prokurori i Hagës mbron Limajn
Nga Express më 11 shkurt 2011 në ora 12:37
Ministri i hetuar për pesë vepra penale, përgatit ekip të fortë mbrojtës. Njeriu që e kishte akuzuar ish-presidentin e ish-Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, për krime kundër njerëzimit në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, është bërë pjesë e ekipit mbrojtës të Limajt në cilësinë e këshilltarit.
Geoffrey Nice do të jetë në krah të Fatmir Limajt në përballjen e mundshme me akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur për Kohën Ditore, avokati i Limajt, Tahir Rrecaj. Pjesë e ekipit është edhe avokati i tij gjatë procesit gjyqësor në Hagë, anglezi me prejardhje pakistaneze, Karim Khan dhe amerikanët Stephan Seeger dhe Ryan O’neill.