Countryman kërkon qeveri kredibile dhe të aftë
Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, ka thënë se Kosova duhet të jetë e gatshme për të biseduar me Serbinë, ndonëse ka thënë se nuk duhet nxituar. Sipas tij, më i rëndësishëm është zhvillimi ekonomik.
Nëse dështon zhvillimi ekonomik i Kosovës, atëherë dështon edhe dialogu, ka thënë Kantrimen pas takimit me kryeministrin në largim të Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas tij, Kosova duhet të ketë një qeveri efikase, kredibile dhe të aftë për të nxitur zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Duke folur për koalicionin e ardhshëm qeverisës, zoti Kantrimen tha se suksesi i një qeverie nuk matet nga gjithëpërfshirja ose jo e klasës politike, por me efikasitetin e saj.
Nga ana e tij, zoti Thaçi ka konfirmuar se qeveria e ardhshme do të përbëhet nga partia që ai drejton, PDK, Aleanca Kosova e Re, Lista Ibrahim Rugova dhe përfaqësuesit e pakicave kombëtare.
Zyrtari i lartë amerikan dje qëndroi në Shkup, ku me autoritetet maqedonase bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe dialogun politik.
Para Shkupit, Countryman qëndroi në Tiranë, ku e përcolli mesazhin që ngjarjet e 21 janarit t’i zbardhë drejtësia, ndërsa kriza politike të zgjidhet me dialog.
Ai ka qëndruar edhe në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND) për Kosovën.
Countryman ka deklaruar në Bruksel se Shetet e Bashkuara e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimin e prerë se nuk mund të ketë negociata për ndarjen territoriale të Kosovës, apo për statusin e Kosovës, në dialogun që do të pasojë menjëherë pas krijimit të institucioneve të Kosovës - dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. (rel)