E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-prokurori i Kukësit, i paimplikuar me pengmarrësit e Imamit

24/02/2005  Prokuroria e ka cilësuar të papërfshirë ish-prokurorin e Kukësit, Naim Tota, në pengmarrjen e imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi. Nga verifikimet e gjithë fashikujve të dosjes hetimore dyvjeçare, nuk është gjetur asnjë provë konkrete për të hedhur dyshime ndaj Totës. Dhe deklarimet e dëshmitarit Mezim Bexheti në Gjykatën e Shkodrës, ku ai pohoi se Tota kishte qenë prezent në një kuvend me 12 burra, ku diskutohej për shumën e parave të lirimit të imamit, kanë rezultuar të pavërteta. Lajmi për mosimplikimin e Totës me pengmarrësit e Irfan Idrizit, bëhet i ditur për gazetën nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ato thanë dje se hetuesit e Krimeve të Rënda, të cilët kanë marrë në dorë dosjen hetimore të kësaj çështje, kanë riverifkuar të gjitha deklarimet e dëshmitarëve dhe të të pandehurve. Sipas burimeve, Tota është përfolur nga ndërmjetësi Mezim Bexheti. Ai pretendonte se kishte qenë dëshmitar, kur Naim Tota kishte biseduar me disa prej pengmarrësve të imamit. Por nga verifikimet e deklarimeve të personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje, është konkluduar se ky fakt është i pavërtetë, sqarojnë burimet. Mësohet se pjesë të dëshmisë së Bexhetit janë kontradiktore edhe me disa prova, si në rastin e ish-policit të komisariatit të Pukës, Tonin Gjini, i cili u lirua disa ditë më parë. Gjithashtu, hetuesit e kanë argumentuar mospërfshirjen e Totës në këtë ngjarje dhe për vetë faktin se, ai ishte prokuror. Burimet thonë se një prokuror sado i inkriminuar qoftë, nuk ka mundësi që të merrte pjesë e të bisedonte në një kuvend me 12 burra, ashtu si pretendon Bexheti. Bazuar në këtë arsyetim është konkluduar se, pohimi i Bexhetit për këtë rast, është i pavërtetë. Burimet e Prokurorisë përfundojnë se, Tota nuk është i dyshuar apo person nën hetim për pengmarrjen e imamit. Por, ai vazhdon ende të qëndrojë i pezulluar nga detyra, për shkak të masës disiplinore që u vendos nga Prokuroria e Përgjithshme, pas dëshmisë së dhënë nga Bexheti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›