E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK e AAK përgatiten për Istog

Partitë që kanë pasur më së shumti vota në Istog në zgjedhjet e fundit, kanë filluar të merren me përgatitjet për zgjedhjet e reja që pritet të mbahen së shpejti në këtë komunë.

Ndonëse Presidenti ende nuk e ka dekretuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Istog, pas vdekjes së Kryetarit Fadil Ferati, partitë politike po përgatiten për garën zgjedhore.

Kështu, në AAK, parti kjo e cila ishte e dyta në zgjedhjet e fundit lokale në Istog, ka filluar debat i brendshëm për kandidatin e saj për Kryetar të Istogut. Partia e Ramush Haradinajt ka hequr dorë nga Naim Imeraj, kandidat i AAK’së për Kryetar të Istogut, i cili në balotazh me të ndjerin Fadil Ferati arriti t’i marrë vetëm 29.4 për qind të votave. Kjo parti tani po shqyrton mundësinë që të gjejë një njeri më të pranueshëm për qytetarët e Istogut.

Besnik Tahiri, Këshilltar Politik për Pushtet Lokal i Kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj, tha të martën për Express se shumë shpejt do të dalin me emrin e kandidatit të ri për Kryetar të Istogut.

“AAK’ja është shumë e vendosur që në këtë garë të hyjë seriozisht, në mënyrë që ta fitojmë Istogun, pasi që edhe në zgjedhjet e fundit kemi qenë shumë afër. Në këtë aspekt, jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë që të kemi një kandidat të fuqishëm për këto zgjedhje”, tha ai.

Jozyrtarisht, Expressi ka mësuar se deputetja e AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi deri tani është emri i vetëm që është përmendur në këtë parti për kandidate në Istog.

“Për shkak se ne si parti e respektojmë dhembjen e familjes së Kryetarit të ndjerë Ferati, ende nuk kemi vendosur të bëjmë publik emrin e kandidatit”, ka thënë Kadaj-Bujupi, të martën për gazetën, duke mos e mohuar se ajo vetë mund të jetë kandidate për kryetare në Istog.

Partia e cila që nga paslufta i ka fituar zgjedhjet në Istog, LDK’ja, ende nuk ka filluar të merret me përgatitjet për zgjedhjet e reja në këtë komunë.

“Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, ne jemi të detyruar të futemi në procesin e ri zgjedhor atje, pasi kjo është e domosdoshme pas vdekjes së kryetarit. Në të ardhmen e afërt, ne duhet të merremi me këtë, por aktualisht nuk jemi duke u marrë me këtë çështje”, tha Vehbi Miftari, zëdhënës i LDK’së.

Burime të Expressit brenda LDK’së kanë thënë në kushte anonimiteti se Haki Rugova, i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Istogut pritet të jetë kandidat i LDK’së në zgjedhjet e reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›