E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëpriteni Shqipërinë!

Nga “Financial Times”

Të goditur nga kriza ekonomike, argumentet kushtetuese dhe shqetësimet për marrëdhëniet me Rusinë, liderët e Bashkimit Evropian do e kenë të lehtë të kalojnë pa vënë re kërkesën formale për anëtarësim të Shqipërisë së vogël. Do e kenë të lehtë, por gabim. Zgjerimi i unionit drejt Lindjes ka qenë një prej sukseseve të tij më të mëdha; kjo duhet të vazhdojë duke përqafuar dhe shtetet delikate të Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë.

Lëvizja e Tiranës vjen pak ditë pasi shtetet e BE pranuan aplikimin nga fqinjët e Malit të Zi. Shqipëria do të duhet të presë disa muaj për dritën jeshile, për sa kohë me të drejtë Brukseli dëshiron të shikojë që zgjedhjet parlamentare të qershorit të zhvillohen në përputhje me standardet e BE.

Duke përjashtuar ndonjë aksident, të dy vendet së shpejti do nisin një rrugë të gjatë negociatash shumëvjeçare për anëtarësim.

E gjitha kjo është e mirëpritur: Brukseli duhet ta mbajë në lëvizje zgjerimin, në një kohë që përballet me pengesa serioze.

Turqia dhe Kroacia, dy vendet të cilat tashmë kanë hyrë në bisedime për anëtarësim, kanë hasur në vështirësi.

Në rastin e Turqisë ekziston një mungesë thelbësore e gatishmërisë politike të Bashkimit Evropian, e cila ka nxitur zhgënjime në Ankara. Në rastin e Kroacisë problemi kryesor qëndron te konflikti kufitar që ka me Slloveninë, gjë për të cilën Ljubljana është duke e bllokuar procesin e Zagrebit.

Katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor - Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova - përballen me shumë sfida para se të mund të hyjnë në bisedime për anëtarësim. Serbia duhet të arrestojë fillimisht Ratko Mlladiçin, të akuzuarin për gjenocid; Bosnja duhet të dëshmojë unitet më të madh midis komuniteteve të ndara etnike; Maqedonia duhet ta zgjidhë konfliktin rreth emrit me Greqinë dhe Kosova duhet të fitojë më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj.

Të gjitha vendet që duan të bëhen anëtare, jo më pak Shqipëria, duhet të bëjnë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Nuk do jetë e lehtë - por do jetë akoma më e vështirë për perspektivën për anëtarësim në BE.

Ndërkohë, BE duhet të vendosë rregull në shtëpinë e saj. Traktati i Lisbonës duhet të fitojë mbështetje gjatë një referendumi që do përsëritet në Irlandë këtë vit. Nga ana tjetër, nuk do të ketë hapësirë ligjore për ata që duan të hyjnë rishtas, përveç Kroacisë. BE duhet të gjenerojë më shumë mbështetje publike për zgjerimin drejt Ballkanit. Ai duhet të shitet si një kompletim i zgjerimit të vitit 2004-2007, ndërkohë që sjell në union shtete tashmë të rrethuara nga anëtarë të BE.

Është e vështirë të shesësh në një kohë krize ekonomike. Por nuk duhet të jetë e pamundur. Ballkani Perëndimor që prej luftërave të Jugosllavisë ka qenë kryesisht përgjegjësi e BE. Përgatitja e rajonit për anëtarësim është e vetmja mënyrë e arsyeshme për të përfunduar punën e nisur për sigurimin e paqes dhe prosperitetit aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›