Ish-pronarët duan përfaqësim në Parlament, gati për partinë e re
Ish-pronarët po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një partie politike për të mbrojtur interesat e tyre. Të zhgënjyer nga klasa politike, që prej 18 vitesh nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e pronës, drejtuesit e shoqatës "Pronësi me Drejtësi" po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një partie. Sekretari i Përgjithshëm i "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro deklaroi për "Panorama" se "meqenëse nuk ndjehen të përfaqësuar në Parlament, është hedhur ideja e krijimit të një partie politike për të mbrojtur interesat e pronarëve". "Ne akoma nuk kemi marrë një vendim përfundimtar si shoqatë për këtë çështje. Diskutimet janë kryer edhe në këtë këndvështrim, në krijimin e një partie politike. Por mendoj se një vendim i tillë mund të merret në ditët në vazhdim, teza për krijimin e një partie është hedhur në diskutim", deklaroi Toro. Të gjendur në prag të zgjedhjeve parlamentare, ish-pronarët kërkojnë të gjejnë mënyrat se si do të përfaqësohen në Parlament me qëllimin për të mbrojtur interesat e tyre legjitime. Toro shprehet se "edhe nëse krijohet partie e re shoqata "Pronësi me Drejtësi" do të ekzistojë më vete". Ish-pronarët duhet të marrin në konsideratë edhe sistemin e ri zgjedhor, i cili për herë të parë po aplikohet në votimet e përgjithshme parlamentare. Sistemi proporcional rajonal kërkon një numër të caktuar votash për të përfituar deputet, ku minimumi i votave është 20 mijë vota. Ish-pronarët theksojnë se të paktën nga statistikat, që ka nxjerrë vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave rezultojnë se janë të paktën 100 mijë trashëgi-mtarë të pronave në Shqipëri. Kjo shifër mësohet se është nxjerrë në vitin 2006. Ndërsa përfaqësuesi tjetër i po kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi shprehet për "Panorama", se aktualisht asnjë prej partive politike në Parlament nuk mbron interesat e ish-pronarëve.