PS-PD, akord i ri për zgjedhjet
PD e PS pritet të bien dakord për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar me dy bashkëkryetarë. Burime nga dy partitë e mëdha bëjnë të ditur për gazetën se opozita do të pranojë variantin e demokratëve për drejtimin e komisionit 'ad hoc'. Por megjithëse konsensusi pritet të konfirmohet ditët në vijim, fillimisht, Partia Socialiste kishte depozituar në Parlament një kërkesë ku propozonte ngritjen e një komisioni të posaçëm me një kryetar dhe në përbërje të të cilit duhet të ishin shtatë anëtarë. Në kërkesë PS-ja propozonte emrin e Kastriot Islamit si kryetar të komisionit. Ndërkohë, dje në mesditë, Partia Demokratike iu përgjigj pozitivisht kërkesës së opozitës për ngritjen e këtij komisioni, por me ndryshimin se ai duhet të ishte me dy bashkëkryetarë. Këtë e bëri të ditur në një prononcim për mediat kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Sipas tij, komisioni i posaçëm kuvendor, i cili do të monitorojë infrastrukturën zgjedhore, mund të përbëhej edhe vetëm nga përfaqësues të opozitës, por një gjë e tillë është e pamundur për shkak të rregullores së Kuvendit. "Duke pasur parasysh faktin që kjo është një çështje me interes të përbashkët, ne jemi plotësisht dakord që ky komision të ngrihet me formatin e kërkuar nga opozita, por me kryesimin e dy bashkëkryetarëve, një përfaqësues nga maxhoranca parlamentare dhe një përfaqësues nga opozita parlamentare", u shpreh Patozi. Ky propozim i PD-së është pranuar së fundi nga opozita, e cila është shprehur dakord me formulën e re. Ndërkohë në ditët në vazhdim pritet të ketë takime mes zyrtarëve të grupeve parlamentare për të diskutuar detajet e funksionimit të komisionit, që kanë të bëjnë konkretisht me emrat që do të jenë bashkëkryetarë, anëtarët që do të jenë pjesë e tij, rolin që do të ketë dhe kohëzgjatjen. Pas shqetësimeve të shumta të opozitës, lidhur me dokumentet e identifikimit që do të përdorin qytetarët në zgjedhjet e ardhshme, kreu i socialistëve Edi Rama propozoi ngritjen e një komisioni 'ad hoc', i cili do të monitorojë nga afër përgatitjen e këtij procesi nga strukturat e qeverisë. Kërkesës së liderit të opozitës iu përgjigj menjëherë pozitivisht Kryeministri Berisha.