E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish pronarët kundërshtojnë legalizimet me bono, shkak ulja e çmimit të tokës

Vorpsi: Legalizimet me bono ulin 10 fish çmimin e tokësPronarët kanë dalë edhe njëherë kundra ligjit të legalizimeve. Shoqata Pronësi me Drejtësi ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të realizojë sa më shpejtë pagesën e fondit prej 46 milion euro, për pronarët e shpronësuar sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave. Kjo shoqatë është shprehur se qeveria është dashur ti kompensojë subjektet brenda 6 muajve që nga botimi i 5 vendimeve të Këshillit të Ministrave në fletoret zyrtare në nëntor të vitit 2008. Shoqata

Pronësi me Drejtësi gjithashtu ka theksuar se duhet të rishikohet ligji i legalizimit, për të ulur kostot e tij dhe se nuk mund të bëhet legalizim aty ku studimet urbanistike parashikojnë zgjerim. Vendimi i qeverisë për legalizimin e sipërfaqeve deri në 500 metra katrorë kundrejt vlerës me 50 për qind bono privatizimi, sjell menjëherë reagimin e shoqatës së të shpronësuarve. Anëtari i kësaj shoqate Mershit Vorpsi, theksoi se miratimi i këtij ligji ka bërë që çmimi i tokës të bëhet 10 herë më i vogël. Ligji ekzistues parashikonte që kjo mënyre pagese do të përdorej vetëm për sipërfaqe deri në 300 metra katrore, këto veprime e ulin akoma me tepër çmimin për metër katror duke e çuar atë deri në 100 lekë për metra katrorë. Duhet të eliminohet përdorimi i letrave me vlerë dhe çmimet të përcaktohen sipas çmimeve të tregut, u shpreh Vorpsi. Një tjetër shqetësim për kryesinë e kësaj shoqate është bërë dhe heqja e përgjegjësisë për kompensimin e pronarëve nga Agjencia e Legalizimit dhe kalimi i kësaj përgjegjësie Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronarëve. Duhet të hiqet dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit të pronarëve për shpërblimin e shpronësimeve për efekt legalizimi. Pagesa e shpronësimit të pronarëve të bëhet nga ALUIZNI, vijoi më tej Vorpsi. Shoqata Pronësi me Drejtësi ka kërkuar që qeveria tu bëjë pagesat për sipërfaqen prej më shumë se 340 mijë metër katror të shpronësuar sipas vendimit të nëntorit të vitit 2008, pagesë e cila u përllogarit të ishte 46 milionë euro dhe që duhej të ishte bërë brenda 6 muajve që nga marrja e këtij vendimi. Ish-pronarët theksojnë se deri nuk është lëvruar asnjë fond. Qeveria shqiptare deri sot nuk ka paguar asnjë qindarkë. Ajo që kemi dëgjuar është që qeveria do të verë në dispozicion për efekt të legalizimit shumën prej 8 milionë euro ndërkohë që e papaguar, si detyrim i qeverisë shqiptare deri tani, shuma llogaritet në 46 milionë euro, u shpreh Vorpsi. Ankesa e ish-pronarëveGjithashtu ai ka thënë se forma me të cilën qeveria po kërkon që të shpërblejë ish-pronarët, është ajo me anë të bonove të privatizimit, që sipas tij është një tjetër gabim. Pasi Vorpsi mendon se letrat me vlerë nuk mund të përdoren në vend të parave në të tilla raste, pasi sipas tij shtresa e ish-pronarëve është një nga shtresat më të vuajtura në shoqërinë shqiptare, duke theksuar se jo vetëm që është dhunuar dhe keqtrajtuar në 50 vjet diktaturë por po vazhdon të keqtrajtohet dhe në këto 20 vite demokraci. Gjithashtu Vorpsi theksoi se dhe në emrat të cilët qeveria kishte bërë publike se do të përfitonin rreth 600 pronarë shqiptarë, nuk ishte e plotë. Ai pretendon me të drejtë se disa prej emrave të vendosur në lista për kompensimin e ish-pronarëve janë shënuar nga dy deri në katër herë. Qeveria shqiptare vazhdon që ta diskriminojë shtresën e ish-pronarëve dhe në këto 20 vjet demokraci, edhe pse ne kemi vuajtur nga 50 vjet diktaturë dhe prisnim që në momentin që erdhi demokracia të merreshim në konsideratë, vijoi Vorpsi. Sipas tij pas ligjit 7501, ku pronarëve ju morën me pa të drejtë pronat dhe ju shpërndanë fshatarësisë, tani vjen një tjetër moment në të cilin qeveria miraton edhe ligjin e legalizimeve, por ai shton se gabimi nuk është legalizimi i ndërtimeve pa leje, por çmimi i legalizimit të këtyre pronave dhe ndërtimeve. Gjithashtu Vorpsi tha se qeveria duhet që ta marrë seriozisht kompensimin e shtresës së ish-pronarëve, ku sipas saj qeveria duhet të krijojë të gjitha hapësirat ligjore, që cilido që kërkon të legalizojë pronën apo ta blejë atë, duhet të paguajë çmimin real të saj. Sipas tij shteti nuk ka të drejtën që ti falë pronën askujt, përderisa prona e ka një pronar legjitim. Por nga ana e Ministrisë së Financave theksohet se dëmshpërblimi i ish-pronarëve nuk mund të fillojë pa u shkrirë Agjencitë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me atë të Tiranës. Sipas Ministrisë së Financave kjo ka qenë dhe arsyeja që është mbajtur peng deri më tani dëmshpërblimi i ish-pronarëve. Përfaqësuesit e shoqatës Pronësi me Drejtësi kanë deklaruar se në rast se qeveria nuk reflekton lidhur me kërkesat e tyre, atëherë ata do ti drejtohet Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg.Taulant Halili

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›