E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët, mbi 5000 certifikata pronësie brenda 2008-ës

Autori i Lajmit: red.
Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytetin e Vlorës gjatë periudhës janar-15 nëntor janë kryer 8490 veprime në favor të qytetarëve të interesuar, 5188 kanë qenë për certifikata pronësie. "Gjatë kësaj periudhe në sportelet e kësaj zyre janë kryer gjithsej 8490 veprime, prej të cilave 5188 janë për certifikatat e pronësisë, pra krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër është pothuajse dy herë më e lartë", - tha dje drejtori i kësaj zyre, Edmond Banushaj. Sipas tij, praktikat ligjore në këtë institucion kryhen brenda afateve minimale zyrtare. "Afati që i duhet një qytetari për të regjistruar një apartament banimi në këtë zyrë është jo më shumë se 5 ditë, ndërkohë që për kategoritë e tjera ai është në varësi të natyrës së veprimeve që kryen, por jo më shumë se një muaj, kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me kuadrin ligjor", - nënvizoi Banushaj. Ai sqaroi se pas depozitimit të dosjes, përgjigjja kthehet përmes shërbimit postar, kundrejt një tarife prej 100 lekësh, që qytetarët shlyejnë në sportelet e ZRPP. Aktualisht, aktiviteti i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në këtë periudhë është përqenduar në regjistrimin e tokave, që preken nga ndërtimi i autostradës Fier-Vlorë, ku puna ka përfunduar në më shumë se 90 për qind të volumit të përgjithshëm dhe nga 960 dosje janë zyrtarizuar më shumë se 900 prej tyre. Drejtori Banushaj theksoi se "krahas kësaj ka përfunduar procesi i regjistrimit të ponave, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor "Transballkanikja"", projekti i të cilit është financuar nga qeveria me rreth 7 milionë euro". Ai shtoi se shqetësim për personelin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vazhdon të mbetet zona e Ujit të Ftohtë, ku ka ende mjaft probleme të pazgjidhura.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›