E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma arsimore, mësuesit në kurse njëvjeçare

Autori i Lajmit: red.
Mësuesit e shkollave 9-vjeçare do t u nënshtrohen kurseve njëvjeçare për trajnime të mëtejshme. Konkretisht, ata arsimtarë që japin mësim në klasën e pestë të arsimit bazë, do të regjistrohen në këto trajnime për t iu përshtatur ndryshimeve në programet e reja mësimore. Sipas burimimeve nga DAR, këtë vit shkollor në klasën e pestë të arsimit bazë të detyruar, në kuadër të reformës së ndërmarrë në arsimin parauniversitar, po zbatohet dokumentacioni i ri, që përbëhet nga programe të reja mësimore. Specialisti i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut të Tiranës, Novruz Ahmeti, tha se të ndodhur para risive që ka sjell reforma në arsimin parauniversitar, me qëllim zbatimin e saj në mënyrë rigoroze, “kemi përgatitur një program trajnimi njëvjeçar me të gjithë mësuesit e klasave V”. Ky kurs, vijoi ai, ka si qëllim njohjen e mësuesve me dokumentacionin e ri, përvetësimin e metodikës së punës, njohjen e problematikave etj. “Një rëndësi më vete dhe që përbën thelbin për zbatimin konkret të programeve të reja të klasës V, është përzgjedhja e metodave bashkëkohore për nxënësit, të cilat do të ndiqen veçanërsiht për zhvillimin e orëve mësimore të gramatikës së gjuhës shqipe, njohurive matematikore dhe njohurive bazë”, vijoi më tej Ahmeti. Sistemi parauniversitar ka pësuar ndryshime rrënjësore në strukturën e tij. Këtë vit nuk ka vit të parë gjimnaz, pasi sistemi arsimor 8-vjeçar është kthyer përfundimisht në sistem 9-vjeçar.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›