E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Kryetarëve shtyn seancën për Kodin

Autori i Lajmit: red.
Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të shtyjë seancën pleanare të ditës së hënë, ku ishte parashikuar të diskutohej Kodi i ri Zgjedhor me qëllim që grupet parlamentare të kenë kohë të diskutojnë mbi kodin e ri elektoral. Kjo ka qenë përgjigjja që kanë marrë dy zëdhënësit e deputetëve grevistë, Dritan Prifti dhe Jak Ndokaj, ndërsa kanë kërkuar prej Konferencës së Kryetarëve që të ngrihet një grup negociator për të diskutuar mbi kërkesat e deputetëve të ngujuar në sallën e seancave plenare prej së hënës së shkuar. Seanca plenare e radhës do të mbahet sot, duke sjellë kështu edhe zgjatjen e grevës së 10 deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe PS 91. Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore miratoi të enjten e shkuar projektligjin integreal të reformës dhe kodit të ri zgjedhor. Në bazë të vendimeve të Konferencës së Kryetarëve, në kohën e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, projektligji i hartuar prej saj kalon automatikisht në Parlament për votim, pa kaluar më parë në Komisionin e Ligjeve. Deputeti i PDK-së, Jak Ndokaj, pohoi pas Konferencës së Kryetarëve se gjatë kësaj mbledhjeje, këmbëngulën që të ngrihej një grup pune për të negociuar. “Ne kërkuam që të paktën të ketë një afat kohor që të zbatohet rregullorja e Kuvendit. Ne vetëm sot e kemi marrë Kodin Zgjedhor dhe, sipas rregullores, duhet kohë për kalimin e tij. Projektligji nuk mund të futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre me përjashtim të rasteve që parashikohen në rregullore”, - sqaroi Ndokaj.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›