E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epitetet sarkastike të klerikut ndaj ministrave të Zogut

Autori i Lajmit: red.
Kështu u sakrifikuan si cepin emisare (bouc s emissaires) Xhafer Ypi, Hysen Vrioni, Koleka dhe orën e fundit Tatzati! Me ikjen e Kolekës udhët s u ndreqnë, as u ndërtuan urat.
Me ikjen e Hysen Vrionit nuk u zunë ata që vaditën të dy, Lalët e Vlorës me hinka prej kupe; përkundër, iku Koço Memo-a, i pandehuri për atentatin kundër jetës së Myfit Beut me katër ruajtës të burgut të Gjirokastrës dhe tani jep dëshmime mi kurris të qeveritarëve tanë përpara Komisionit Ndërkombëtar të Anqetës në Janinë. Ikja e Tatzatit ngjau vetëm dje dhe është tepër shpejt të themi ç ndryshime do të sjellë në Ministerin e Luftës. Po s mundim veç se të çfaqim hidhërimin për nënkolonelin Ministër të ri, të cilin e shohim sot të vijë pranë minotaurit që ka shokët e tij. Mbetet Ministri i Arësimit që t i lërë mësonjësit të vdesin urie nga mospagesa e rrogës dhe të mbyllë shkollat që janë edhe të hapura.
Mbetet Ministri i Financave që të lërë pa rrogë e pa bukë nëpunësit, ushtrinë e xhandarmërinë, që t i shtrojë parlamentit buxhetet klasike të balancuara në kartë e të çkallmuara në realitet dhe që të ruajë arkën e zbrazur të Shtetit mos bjerë brenda nonjë mi e thyen kokën. Por mbetet Ministri i Financave që të na japë nga koha në kohë shpjegime të gjata e të mërzitura, të cilat bëjnë të dremiten dhe ata deputetë që kanë merak të kjartë. Mbetet dhe Ministri i Punëve të Jashtme për të bërë gafa.
“Ahmet Zogu nuk ka bërë asnjë studim, e jo më serioz”
Kur arçë herën e funtmë, hodha syno nga salla e Komisionit të Administratës në avllinë e parlamentit, dhe pashë që Kopshti i Ministrisë së Punëve të Jashtme është tharë krejt. Atje, më parë lulëzonin qepë, kastravecë dhe kunguj; atje pulkat dhe zogat klloçitnin dhe bënin vezë taze, të cilat depozitoheshin me kujdes në dollapet e Ministrisë, ku ruhen arkivat e shtetit. Tani vura re me hidhërim, që qepët e kastravecat ishin tharë, dhe ahime! Ishin çdukur dhe kungujt që na kujtonin kokët simpatike të ministrave tanë. Kjo neveritje kishte një shpjegim. Ministri ynë ishte në vakancë. Dhe ku? Në Bukuresht! Dy gafa menjëherë. Se një ministër i Punëve të Jashtme nuk mundt të shkojë vakant në një kryeqytet, ku të japë shkak të përhapen thashetheme të ndryshme për misione të fshehta diplomatike. Me të mësuar udhëtimin e tij, gazetat përhapnë menjëherë që ministri ynë vajti për të kaluar Shqipërinë n Entasitin e Vogël dhe për të kërkuar një mbret për fronin e Shqipërisë. Është e vërtetë që Ministri i përgënjeshtroi të dyja këto lajme, po puna e tij është të mos epte shkak të përhapeshin këto lajme, se shpesh është gjë inoportune të vërtetosh e të përgënjeshtrosh thashetheme.
Pastaj, Ministri ynë s duhej të kish vajtur në Bukuresht për arsyen për të cilën oborri i Belgradit nuk e quajti si persona gratë që të përfaqësonte shtetin tonë në dasmën e mbretit të Aleksandrit të Serbisë. Detyra e një ministri në vakancë është të lehtësohet dhe të çlodhet. Po Ministri ynë jipte intervista dhe ja një pjesë e intervistës së tij në gazetën e Bukureshtit "ADEVERUE", (E vërteta) datë 28 korrik: "Ahmet Zogu ka bërë studime serioze në Evropë, di disa gjuhëra të huaja dhe është një njeri me idera përparimtare". Kjo natyrisht është një gënjeshtër se që të gjithë e dimë që Ahmet Zogu nuk ka bërë aspak studime në Evropë, pa le studime serioze. Në këtë mes vritet Xheneral Telini, turbullohet tërë atmosfera e Ballkanit, çmallen ngatërrime në kufitë e Veriut. Vermoshi e Shënt Naumi ndodhen në rrezik, po Ministri ynë nuk e prish qetësinë e vakancave me këto gjëra të vogla. Dhe që ardhi, i detyrohet A. Zogut, i cili i dërgoi 8 telegrame që ta çqitë nga Bukureshti e ta sjellë këtu në datën e votës së besimit, me qenë që votat e P. Popullore u pakësuan pas ikjes së kryetarit të P. Popullore me shokët.

Thirrja e Nolit për deputetët e pozitës: “Kombi pret prej jush me dorën në zemër”
Zogu, ushqen idealet më të errëta të Orientit, ndërsa “pretendon oksidentalizëm”

Mbetet e mbetet Ahmet Zogu i rrethuar prej kolltukofagëve dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafiesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm dhe liberalizëm, kur ushqen në zemër të tij idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shkatërron arkën e shtetit për të arrirë qëllimet e tij personale, e ky shakaxhi sot na vjen për votë besimi, për të bërë zgjedhjet e asamblesë konstituente, e për të mbaruar shakanë kolosale e groteske që ka nisur mbi kurrizin e këtij shteti të mjerë.
Ne deputetët e opozitës jemi të shtrënguar ta ndalojmë këtë shaka me çfarëdo mënyre, se kemi frikë që kjo do të jetë ndofta shakaja e fundme e Shqipërisë, pas së cilës do të nisin dhembjet e barkut pa shpresë shërimi.
E quajmë të tepër t u bëjmë një apel ministrave të sotëm për një beau geste (veprim të mirë) e për demicien, se zotërinjtë e tyre janë të sëmurë, pa shpresë nga kolltukofagia dhe ethet e kësaj sëmundje nuk i lënë të shohin përgjegjësinë e tmerruar që marrin përpara kombit dhe historisë. Po na mbetet një shpresë dhe kjo varet nga shokët deputetë të shumicës që janë të bindur të bëjnë një gabim duke përkrahur këtë guvernë, po që s kanë arrirë edhe në pikën që ta njohin këtë gabim e ta ndreqin. Sot është dita e funtme. Sot a kurrë. Kombi e pret prej jush këtë akt patriotizme dhe urtësie politike. Kombi pret prej jush të bëni detyrën tuaj me dorën në zemër për të mirën e Atdheut.

box
Noli sipas historisë së shkruar në 50 vjet
Kur u shpall pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920 - 1930. Më 1920-ën ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921-shin ai botoi edhe veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Gjatë viteve 20 – 24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij, kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zërin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit, Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, e që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Forcat e kryesuara nga Zogu arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos pasur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformën agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Më 1932-shin, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij, Noli e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun.

Kleriku që ndau ortodoksinë shqiptare nga ajo greke
Mbaroi konservatorin dhe mori doktoraturën për filozofi në moshë të thyer

Vendlindja e Nolit ishte Ibrik-Tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës. Fshati i lindjes dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty Fan Stilian Noli u njoh së pari me botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18-vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letërsinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspirit. Kështu, ky djalosh i ri, me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. Vetëm më 1912-ën ai kreu studimet e larta dhe u diplomua për arte, kurse më pas, në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”, si dhe gazetën “Dielli”. Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin, më 1908-ën, ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.
Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›