E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pastrehët, pallat 6-katësh në Bllokun e Ambasadave

Autori i Lajmit: red.
Një tjetër projekt për të pastrehët në kryeqytet pritet të konkretizohet me ndërtimin e një pallati gjashtëkatësh në zonën e Bllokut të Ambasadave në Tiranë. Kjo banesë që do të ndërtohet në këtë zonë parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme. Bashkia e Tiranës, në kuadrin e programit “Për Integrimin e të pastrehëve”, ka caktuar disa zona në qytet, të cilat janë asete të saj, ku do të ndërtohen banesa sociale. Sipas burimeve të Bashkisë, për këtë arsye, objekt i këtij programi janë disa hapësira të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit e sidomos brenda unazës ekzistuese, të mpleksura në zona banimi të një cilësie mbi mesataren. Përveç kërkesave për strehim, këto hapësira do të përmbushin pjesërisht edhe kërkesat për parkim, pasi sipërfaqja e nëntokës së tyre do të përdoret për parkim publik. Njëra prej hapësirave të sipërpërmendura ndodhet në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, pranë Bllokut të Ambasadave, midis Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës. Sipas burimeve të Bashkisë, banesa sociale parashikon të ofrojë strehë për familje të madhësive të ndryshme dhe për këtë arsye brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsonierë, 1+1, 2+1, si edhe 3+1. Standardet për projektimin e këtyre apartamenteve janë aplikuar në bazë të rregulloreve përkatëse. Kjo banesë që do të ndërtohet në këtë zonë, prej 6 katesh, parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme. Ndërkohë qeveria ka vendosur që të japë kredi për shtëpi për familjarët e pastrehë. Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve kanë hartuar një udhëzim, i cili përcakton kriteret që duhet të plotësojë një i pastrehë për të përfituar kredi për shtëpi nga shteti. Së pari, familjet e pastreha që kërkojnë të marrin kredi nga shteti duhet vërtetojnë se nuk disponojnë banesë tjetër në pronësi. Gjithashtu, këta familjarë duhet të vërtetojnë se kanë të ardhura familjare mujore, brenda kufijve që përcaktohen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në bashkëpunim me bankën. Pra e thënë ndryshe që kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar këstet e kredive. Qeveria ka vendosur që kredia të jetë me terma të buta, niveli maksimal i kredisë do të jepet për banorët e Tiranës, pasi siç dihet, çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë më shtrenjtë se në çdo qytet tjetër. Pak ditë më parë, Enti Kombëtar i Banesave deklaroi se kredia prej 15 milionë eurosh për ndërtimin e 1132 banesave sociale me qira, tashmë ka marrë miratimin për t u lëvruar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB). Fillimisht do të përfitojnë katër bashki: ajo e Beratit, Fierit, Kavajës dhe Peshkopisë. Ndërkohë që shpërndarja e shumës së kredisë respektive do të vijojë këtë javë edhe me dy bashkitë e tjera më të mëdha, atë të Tiranës dhe të Durrësit. Kredia do të shlyhet për 20 vjet.

Kategoritë që përfitojnë

Përfitojnë familjet që plotësojnë dy kushte bazë:

Nuk disponojnë banesë në pronësi (këtu mund të futen edhe ata që banojnë në banesat e ish-pronarëve)

Kanë të ardhura të ulëta

Brenda këtyre kushteve kanë përparësi familjet

invalide dhe persona me aftësi të kufizuara.

Persona që kanë statusin e jetimit

Gra të divorcuara që kanë në ngarkim fëmijë

Të moshuar pa përkrahje

Çifte deri në moshë totale 55 vjeç
Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›