E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët shkojnë me Spahiun

05/04/2012  AK tryezë me shoqatat e ish-pronarëve, premton zgjidhje për pronat

Garuli: PR mbështetet nga pronarët realë, jo strukturat drejtuese

Pas ish-ushtarakëve dhe ish-të përndjekurve politikë Aleanca Kuqezi ka afruar rreth vetes edhe shoqatat e pronave, duke u premtuar atyre zgjidhen e çështjes së pronës. Pikërisht për këtë qëllim në moton “Pushteti shkatërroi pronën” Aleanca Kuqezi në bashkëpunim me dy shoqatat e ish-pronarëve organizuan një tryezë, ku është diskutuar zgjidhja që duhet të marrë ky problem. Kreu i saj, ish-nënkryetari KLD-së Kreshnik Spahiu, tha dje se gjatë këtyre 22 vjetve partitë politike që kanë udhëhequr Shqipërinë jo vetëm nuk i kanë dhënë rrugë kësaj çështjeje, por ua shkatërruan pronën shqiptarëve. “Pushteti shkatërroi pronën. E këtu janë rrënjët dhe themeli i krizave dhe konflikteve të një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore, të cilat buruan nga ligji famëkeq “7501”, ligj i cili mund të quhet me plot gojën tradhti kombëtare”, - deklaroi ai në fjalën e tij. Spahiu kërkoi mbështetjen politike të shoqatës së pronarëve për të sjellë në pushtet partinë e tij, me qëllim zgjidhjen një herë e mirë të kësaj çështjeje. “Së bashku ne duhet ti japim një zgjidhje një herë e përgjithmonë një robërie të pushtimit të pronës shqiptare nga një pushtet që për 22 vjet e shkatërroi dhe e futi në një hamulli, në një kauzë ku buruan të gjitha krizat politike, ekonomike dhe sociale, dhe kjo do të jetë alternativa e ardhshme, në bashkëpunim me gjithë intelektualët, në bashkëpunim me të gjitha grupet e interesit”, - deklaroi kreu i AK-së, duke propozuar përfshirjen e interesave të këtyre shoqatave në programin politik të AK-së. Të pranishëm në tryezën e AK-së ishin përfaqësues të shoqatës së pronarëve të shpronësuar. Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, tha se kostoja e moskompensimit të pronave në dëm të pronarëve legjitim sipas përllogaritjeve shkon në 30 miliardë euro. “Unë personalisht, por dhe shokët e mi, nuk ia falim politikës shqiptare qenien e Shqipërisë jashtë Europës pas 20 vjetësh pushtet demokratik. Kjo ndodhi thjesht sepse mentaliteti komunist i vlerësimit të pronës vazhdon të jetë njësoj si në të kaluarën”, - tha Toro. Në fund të këtij aktiviteti shoqatat e ish-pronarëve shprehën mbështetjen maksimale për programin e Aleancës Kuqezi dhe për këtë nënshkruan një deklaratë për tiu bashkuar Aleancës Kuqezi. Propozimet e dala nga kjo tryezë AK-ja do tia bashkojë programit, i cili do të paraqitet për miratim në Kuvendin Mbarëkombëtar, që do të mbahet në muajin maj.

Krahasimi

Për kreun e AK-së praktika që ndiqet në Shqipëri me pronën nuk e gjejmë në asnjë shtet të Europës. “Në asnjë shtet të Europës, përfshirë dhe vendet fqinje, Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë, Serbinë, Kosovën, Kroacinë, një kioskë nuk mund të ngrihet pa lejen e shtetit. Prona shkon tek i zoti, aty ku fillon zgjidhja e vargut të çështjeve, që lidhen me investimet, planimetrinë urbane, komisionet urbanistike, e informalitetin. Kjo përkon me një vizion për të nxjerrë Shqipërinë nga një hamulli që e bën atë të ngjajë si një shtet i bombarduar. Shqipëria vjen nga një luftë që është krijuar nga politikat e mbrapshta antishqiptare kundër zgjidhjes së çështjes së pronës”, - tha Spahiu.

Prioriteti

Pronat është një nga kushtet që vendi ynë duhet të plotësojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Në këtë kontekst, numri një AK-së, duke ripërsëritur se çështja e pronës ende nuk është zgjidhur në Shqipëri, tha se pikërisht jo çështje duhet të jetë në axhendën e qeverisë së ardhshme. “Ne jemi këtu që të reflektojmë nga mashtrimet e dekadave për shqiptarët dhe brezat që sot vuajnë më shumë mjerim, sepse çështja e pronës ende nuk është zgjidhur. Një qeverisje e ardhshme duhet të ketë në axhendën e saj zgjidhjen e çështjes universale të pronës, e cila është një nga 12 rekomandimet e BE-së që Shqipëria duhet të plotësojë për të përfituar statusin e vendit kandidat”, - tha ai.

Fqinjësia

Takim kortezie

Meta pret ambasadorin e Kosovës, Selimi

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, priti sot në një takim kortezie në selinë e partisë ambasadorin e Kosovës në Tiranë Sylejman Selimi. Ata diskutuan mbi bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes Shqipërisë dhe Kosovës, zhvillimet e fundit në rajon si dhe hapat e ndërmarrë në drejtim të integrimit evropian të dy vendeve. Në këtë kontekst, kreu i LSI-së rikonfirmoi mbështetjen e plotë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe arritjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian. Meta tha se e vetmja rrugë për prosperitetin e qytetarëve tanë, por dhe të vendeve të tjera të rajonit, është rruga e integrimit europian. Në përfundim ambasadori Selimi shprehu një vlerësim të veçantë për rolin dhe kontributin e Metës në afirmimin e Kosovës, si dhe vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në mbarëvajtjen e procesit integrues të shtetit më të ri të Ballkanit.

Reagimi i republikanëve

Afrimi i dy shoqatave të ish-pronarëve tek AK-ja nuk e bën Partinë Republikane të ndihet e cenuar. Madje, kjo formë bashkëpunimi, sipas sekretarit të përgjithshëm të PR-së Aleksandër Garuli, përforcon kauzën e partisë së tij për zgjidhjen e çështjes së pronave. “Partia Republikanë për çështjen e pronës ka bashkëpunuar gjithmonë me pronarët e vërtetë dhe jo me struktura drejtuese të tyre. Dhe unë jam i bindur se pronarët e vërtetë shohin te republikanët aleatët realë. Kjo është një lëvizje spontane, nuk është çështje për tu parë me xhelozi. Edhe nëse bashkohen me të tjerët si në këtë rast, kjo përforcon kauzën tonë ndër vite për zgjidhjen e çështjes së pronave”, - tha Garuli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›