E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE: Situata politike e qetë Presidenti sipas Kushtetutës

05/04/2012  Raportuesit e KiE mbyllin vizitën triditore në Shqipëri

Pasi zhvilluan dhe takimin e fundit me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar, atë me Kryeministrin Berisha, raporterët e Këshillit të Europës mbajtën pasditen e djeshme një konferencë për shtyp. Në fjalën e tyre ata theksuan se po largohen nga Shqipëria me përshtypje të mira për situatën e qetë politike dhe frymën bashkëpunuese në vend. “Ajo që kemi parë gjatë këtyre tri ditëve të qëndrimit në Shqipëri është bashkëpunimi mes palëve, i cili po funksionon sipas standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian. Pra, krahasuar me raportin e vitit të kaluar është shumë më e mirë, shumë më e qetë dhe po ashtu ne do të vazhdojmë t’ju ndihmojmë në realizimin e detyrave dhe kritereve të kërkuara në raportet e shkuara”, – tha raporteri Tomas Jirsa. Ndërsa raporteri tjetër i Këshillit të Europës, Grigore Petrenco, shtoi se e njëjta frymë bashkëpunimi duhet të ndiqet edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Duke ftuar që të mos ndjekin shembullin e vendit të tij, deputeti i Moldavisë theksoi se zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces sipas Kushtetutës dhe palët të shmangin konfliktet rreth kësaj çështje. “Në takimet që ne patëm me palët në Tiranë na siguruan se Kushtetuta do të zbatohet plotësisht për sa i përket çështjesh së zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Gjithashtu palët na siguruan se zgjedhja e presidentit nuk do jetë burim konflikti për tensione të tjera në politikën shqiptare.”

Dy raportuesit e Këshillit të Europës u pritën sot në një takim nga Presidenti Bamir Topi, kreu i LSI-së Ilir Meta, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe kryeprokurorja Ina Rama. Të gjitha takimet janë zhvilluar pa praninë e medies.

Monitorimi

Gjatë këtyre ditëve kemi zhvilluar një sërë takimesh me aktorët kryesorë të politikës, por roli dhe detyra jonë është monitorimi i progresit të Shqipërisë. Situata politike është dukshëm shumë më e mirë nga ajo e vitit të kaluar. Këtë e konstatuam në të gjitha takimet e zhvilluara, ku mbizotëron dukshëm klima e bashkëpunimit mes partive politike.

Problemet

Korrupsioni, heqja e imuniteteve të zyrtarëve, e cila është një çështje shumë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit, zgjedhjet presidenciale ishin çështje të tjera që u trajtua në takimet tona, ku liderët na garantuan se ato do të zhvillohen në zbatim të Kushtetutës. Na siguruan se ato nuk do të jenë burim i ndonjë tensionimi të ardhshëm politik.

21 janari

Pas takimeve me krerët e shtetit raportuesit e Këshillit të Europës u shprehën: “Në takimet e zhvilluara me prokuroren e përgjithshme dhe anëtarë të komisionit hetimor për 21 janarin ne kemi kërkuar që të respektohet pavarësia e institucioneve në hetimet e tyre, pasi, siç na thanë, 21 janari është akoma në hetim. Ajo ka ndodhur tashmë dhe na vjen shumë keq për këtë.”

Bamir Topi

Presidenti Bamir Topi në takimin e djeshëm me raporterët e Këshillit të Europës u ndal mbi ecurinë e reformave elektorale dhe parlamentare, në luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011. “Në një vend të vërtetë demokratik mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës”, – theksuan bashkëbiseduesit.

Ilir Meta

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në takimin me bashkëraporterët e Këshillit të Europës në kuadër të vizitës faktmbledhëse të tyre mbi monitorimin e progresit të vendit, tha se “Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian brenda këtij viti, si një hap të merituar dhe kyç për të ardhmen e vendit, duke theksuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale dhe konstruktive për realizimin e plotë të reformave të nevojshme në interes të integrimit europian të Shqipërisë”.

Ina Rama

Në takimin me prokuroren e përgjithshme Ina Rama bashkëreporterët u interesuan mbi çështjet që lidhen me drejtësinë shqiptare, duke e vënë theksin te lufta kundër korrupsionit, çështja e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin. Kryeprokurorja Rama garantoi raportuesit për vendosmërinë e institucionit që ajo drejton për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit, pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›