E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-pronarët takojnë presidentin Topi. I kërkuan një ligj të ri “Për kthimin e pronave”

Përfaqësues të shoqatave të ish-pronarëve kërkuan sot që të rihartohet një ligj i ri "Për kthimin e pronave", ku të përfshihen të gjitha partitë parlamentare. Këtë kërkesë të tyre ish-pronarët e paraqitën paraditen e sotme gjatë një takimi në Pallatin e Brigadave me Presidentin e Republikës, Bamir Topi.Drejtues dhe ekspertë të shoqatave të pronarëve në fjalën e tyre para Kreut të shtetit shprehën rezerva dhe pakënaqësi në zbatimin e ligjit aktual "Për kthimin e pronave", të miratuar në vitin 2004. "Ligji 9235, i miratuar në vitin 2004 me konsensus politik, por jashtë vullnetit të ish-pronarëve, sot pas pesë vjetësh regjistron një bilanc negativ. Duke u mbështetur mbi kompensime dhe jo mbi kthimin e pronës, ai nuk plotësoi asnjë nga objektivat e tij", u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me drejtësi", Agim Toro. Sipas tij, "ligji është i dështuar dhe ka ardhur koha të hartohet një ligj i ri që në themel të ketë kthimin fizik. Çdo  pronë që nuk kthehet transformohet menjëherë në një faturë financiare. Ne i kemi mundësitë dhe ekspertët, dhe me një vullnet politik ky problem mund të zgjidhet". Duke argumentuar arsyet e mosfunksionimit të ligjit në fuqi,  Toro tha se "ai ka dështuar pasi pronarëve iu krijuan qindra pengesa, duke iu kërkuar mbi 20 dokumenta, me një kosto shumë të lartë. Ndërkohë, që pengesa të pafundme iu vunë edhe përmes ligjeve të tjera, si ai i 'legalizimeve', të cilit iu dha përparësi mbi ligjin e "kthimit të pronave". Në vijim të kritikave të tij për çështjen e pronës, Toro theksoi se "në një kohë që shteti nuk e ka ndërprerë asnjëherë tjetërsimin e pronës, por vazhdon t'i shesë ato, është për të ardhur keq që edhe ato interesa të ligjshme që iu ka dhënë ish-pronarëve, nuk respektohen". Duke ripërsëritur dështimin e ligji aktual në të gjitha hallkat,  Toro tha se "pronarët nuk kërkojnë as më shumë as më pak, por respektimin e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardet e BE-së, ku ne aspirojmë të futemi. Është e pafalshme që ne kemi denoncuar një korrupsion galopant me pronat, që kap miliarda euro dhe deri tani nuk shohim të bëhet luftë ndaj këtij korrupsioni. Nuk kemi asnjë anullim të vendimeve që janë në kundërshtim me ligjin".

Reagon presidenti: Do të ikurajoj kthimin legjitim të pronës
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, siguroi sot se do të vazhdojë të inkurajojë institucionet për kthimin legjitim të pronës. Gjatë një takimi në Pallatin e Brigadave me përfaqësues të shoqatave të ish-pronarëve, Presidenti Topi, pasi dëgjoi vërejtjet dhe kritikat e tyre për moszbatimin e ligjit aktual "Për kthimin e pronave", e konsideroi këtë çështje "një problem madhor në një vend të vogël. E quaj të papranueshëm faktin, që pas 18 vjetësh, në një vend ku sasia e tokës është relativisht e vogël dhe nuk bëhet fjalë për territore të pafundme, të mos zgjidhet problemi i pronës", u shpreh Kreu i shtetit. Duke pranuar abuzimet dhe korrupsionin në çështjet e pronësisë, ai e konsideroi takimin me ish-pronarët si "një moment shumë të rëndësishëm për t'i dhënë fund çështjes së tranzicionit tek pronësia. Kemi problem me vendimet e gjykatave që shkojnë në Strasburg dhe objeksionet që ato kanë hedhur për çështjet e pronave në Shqipëri". Lidhur me kërkesën e ish-pronarëve për një ligj të ri "Për kthimin e pronave" Topi e cilësoi "një çështje që nuk ka të bëjë me institucionin e Presidentit, por me vullnetin e partive që krijojnë maxhorancën në parlament, të cilat mund ta shohin të arësyeshme të bëjnë një ligj tjetër". Presidenti e vlerësoi të papranueshme që problemi i pronës të mos trajtohet në një linjë të pastër e të sinqertë nga të gjithë njësoj. "Por, është akoma më e papranueshme, që njerëz të cilët i kanë zgjatur shumë duart në pronat  shtetërore dhe të të tjerëve, flasin për parimet dhe për legjitimitetin e pronës, kjo është paradoks i vërtetë", u shpreh Kreu i shtetit. "Çështja e pronës është analoge me çështjen e 'dosjeve' të lustracionit. Shumë njerëz janë persekutuar gjatë regjimit komunist edhe për pronat e tyre dhe merrej në konsideratë fakti që ata që kanë pasur më shumë prona janë persekutuar më shumë. Akoma kjo psikologji vazhdon të projektohet fatkeqësisht edhe në vitin 2009, kur bëhet fjalë për interesa, për prona. Se kush ka më shumë prona ka mundësi të bëjë dhe më shumë politikë. Por, më e papranueshmja është kur deformohet realiteti, kur njerëz që njihen me gisht si zaptues pronash sjellin nën akuzë kontigjentin e njerëzve që janë më të ndershëm", u shpreh Presidenti i Republikës. "Njerëz që kanë qënë të lidhur me një mijë mënyra me regjimin komunist ngrihen dhe akuzojnë të tjerë që nuk kanë pasur asnjë lloj lidhje me regjimin. Pra, kësaj shoqërie duhet t'i kthehet morali. Gjashtë muaj është sulmuar Presidenti për çështjen e një dekorate, që nuk kishte të bënte me vullnetin e Presidentit, një çështje totalisht sipërfaqësore, një dekorim totalisht i kthyer, i marrë në konsideratë për peshën e moralit kundrejt të përndjekurve politikë, një procedurë e anulluar, e kthyer dhe sot fatmirësisht karshi kësaj çështje jemi totalisht të pastër", tha z. Topi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›