E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pushtetarët e PS-së, letër Kongresit: “Zbatoni Statutin”



Një grup bashkëthemeluesish të Partisë Socialiste, ish-zyrtarë të lartë, ish-deputetë, kryetarë bashkish dhe komunash nga mbarë vendi, u kanë dërguar një letër drejtuesve të Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, duke kërkuar zbatim të përpiktë të statutit të Partisë Socialiste. Në këtë letër, firmëtarët kanë kërkuar mosrikandidimin e kreut të PS-së, Edi Rama, si dhe zhvillimin e analizave përkatëse përpara se të fillojë gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste. Ish-zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste, në letrën e tyre kanë fajësuar kreun e PS-së, Edi Rama, për bashkëpunimin me PD-në për ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor, si dhe për dështimin e PS-së për të qenë forca fituese e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sipas tyre, Edi Rama tashmë i përket historisë së PS-së dhe nuk duhet të rizgjidhet në drejtimin e kësaj partie, pasi do t’i shkaktonte të tjera humbje elektorale PS-së dhe popullit të majtë. Ata theksojnë se Rama nuk duhet të rikandidojë për postin e kreut të PS-së, pavarësisht rrethanave. “Çfarëdo përpjekje për keqpërdorimin e ndjeshmërisë elektorale të socialistëve me synim largimin e vëmendjes nga çështja kryesore e Kongresit të Jashtëzakonshëm: Analiza për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe marrja e përgjegjësive përkatëse; shpërndarja e përgjegjësive te parti të tjera, te komisionerët socialistë etj., thjesht do ta shndërronte forumin më të lartë politik të PS-së në një mburojë fiktive të Ramës, për mbajtjen me çdo kusht të uzurpuar prej tij të postit të kryetarit të PS-së, do të sillte rrënimin e mëtejshëm të kësaj force politike dhe zhytjen e saj në një krizë ideore, organizative, strukturore me pasoja të rënda dhe afatgjata”, - thuhet në letrën drejtuar Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›