Masakra e Kozarës, nis gjykimi nga e para në gjykatën e Beratit
Dje seanca e parë në Gjykatën e Shkallës së Parë, pas kthimit nga Kushtetuesja e cila e shpalli të pavlefshëm vendimi e tri shkallëve të tjera
BERAT Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Berat është zhvilluar seanca e parë për personin e akuzuar për masakrën e Kozarës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rigjykim të çështjes në gjykatën e shkallës së parë të këtij rrethi.
Gjatë seancës së djeshme pala mbrojtëse e të akuzuarit Luan Mara ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rigjykim të çështjes, pasi sipas saj deklarata e firmosur nga Mara, ku pranohet autorësia mbi masakrën e Kozarës, nuk mund të merret si e ligjshme, pasi është marrë në kushtet e një dhune psikologjike dhe fizike ndaj Luan Marës. Për këtë arsye, pala mbrojtëse ka kërkuar gjykimin në gjendje të lirë të të pandehurit, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë konkrete që të vërtetojë fajësinë e tij. Nga ana tjetër Prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të marrë fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë e Beratit, për dënimin e 36-vjeçarit Luan Mara me burgim të përjetshëm. Çështja ndaj Luan Marës u rikthye për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Berat, pasi kaloi deri në Gjykatën Kushtetuese.
Rikthimi i çështjes
Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues vendimet e tre gjykatave për dënimin e Luan Marës me burgim të përjetshëm. Çështja Luan Marra njihet për opinionin publik dhe si Masakra e Kozarës. Pesë vite pas arrestimit dhe dënimit si autor i vrasjes së katërfishte të vëllait dhe familjes se tij, Gjykata Kushtetuese rikthen Luan Marën në gjendjen e prezumimit të pafajësisë dhe vendimet e tre niveleve të gjyqësorit i shpall antikushtetues. Rasti shënon një precedent unik të një individi të dënuar me burgim të përjetshëm në kushte të një procesi të parregullt ligjor. Procesi dhe vendimi i Gjykatës Kushtetues, që bënë të pavlefshëm dënimin me burgim të përjetshëm për Luan Marën, u finalizua pas një mbrojtjeje katërvjeçare nga dy avokatët Dilaver e Alban Bengasi. Më 9 shkurt 2006 në fshatin Kozarë, në afërsi të Kuçovës, janë vrarë në shtëpinë e tyre tre pjesëtarët e një familjeje të re, ndërsa vrasja është konsideruar e katërfishtë, pasi njëra nga viktimat ishte një grua shtatzënë. Të vrarë nga të shtënat e një arme zjarri mbetën Shpëtim Mara 35 vjeç, bashkëshortja e tij Florie Mara shtatzënë, dhe fëmija dyvjeçar Artiol Mara. Policia asokohe ngriti dy pista hetimi: Pista e parë përkonte me akuzat ndaj Luan Marës, vëllai i viktimës. Sipas policisë, motiv për krimin përbënte një marrëdhënie shtatzënie dhe intime e supozuar mes të dyshuarit dhe kunatës së tij, viktimë e ngjarjes. Prova e ADN-së së fëmijës që pritej të lindte nuk verifikoi atësinë e të dyshuarit si motiv për grindje dhe vrasje mes vëllezërve Mara. Pista tjetër implikonte një individ të ri në moshë, i cili ishte në konflikt me familjen Marra, për shkak të një fejese të dështuar me ndërhyrjen e babait të viktimës. Polica e Beratit dhe prokuroria e këtij rrethi gjyqësor insistuan në fajësinë e vëllait të viktimës, duke marrë dëshmi vetëfajësimi në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe në kushte të denigrimit dhe trajtimit çnjerëzor të personit nën hetim dhe familjes së tij. Për deklarimin e fajësisë e tërë familja, babai i viktimës Shefqet Mara dhe dy djemtë Iliri dhe Luani, i janë nënshtruar dhunës fizike dhe torturave në ambientet e komisariatit të Beratit.