Ish-shoferi i Arben Sefgjinit tradhtoi shefin në prokurori
TIRANË- Ish-shoferët e Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit pranojnë para Gjykatës së Krimeve të Rënda se kanë kryer shërbime për llogari të shefave të tyre. Sipas Besnik Gjuzit, ish- shofer i ish-drejtorit të SHIK-ut në kryeqytet, Arben Sefgjini, shefi i tij disa herë kishte urdhëtuar edhe vetëm me makinë, pasi ishte në fillimet e tij prej shoferi. “Gjatë kohës që punoja me Arben Sefgjinin kam shkuar në të gjithë rrethet e Shqipërisë dhe jo vetëm në Sarandë, ku kemi shkuar disa herë. Nuk mbaj mend të kemi shkuar në Ksamil, tek lokali i personit që thoni”,-tha Gjuzi duke iu përgjigjur pyetje së prokurorit për vizitën e Sefgjinit në lokalin e Kristopullit në Ksamil, një javë para rrëmbimit të tij. Ndërsa, në lidhje me shoqërimin e Remzi Hoxhës, dëshmitari Gjuzi u shpreh se nuk kam marrë pjesë, ndërsa në procesverbalet e organit të akuzës shoferi i Sefgjinit kishtë thënë se: “edhe mund ta kem shoqëruar Remzi Hoxhën për në Lezhë, pasi kam shkuar atje me shefin dhe persona të tjerë, po nuk e dija që ai është Remzi Hoxha. Mund të kem qenë në Kamëz, ku kemi marrë një person dhe e kemi dërguar në Vain të Lezhës, por nuk di kush ka qenë ai”. Ndërsa, sa i përket Avdyl Loshajt, dëshmitari Gjuzi mësohet se është shprehur se: “kam dëgjuar tek puna se një person është hedhur nga dritarja dhe më vonë kam marrë vesh se ai ishte Avdyl Loshaj, por nuk e kisha takuar asnjëherë vetë. Gjithashtu, dje dëshmoi edhe shoferi i të pandehurit Avni Koldashi, shtetasi Besim Dodja, i cili konfirmoi para gjykatës se ka marrë pjesë në shoqërimin e Ziso Kristopulit nga Ksamili deri në Tiranë dhe më pas në Vain të Lezhës, me urdhër të Koldashit dhe në shoqërimin e Riza Shehut e Shpend Dibrës. Gjithashtu, dëshmitari Dodja sqaroi se kishte vëzhguar në një rast edhe Remzi Hoxhën, pa e ditur fillimisht se kush ishte dhe më pas kishte marrë vesh se ishte shqiptari nga Maqedonia, por nuk dinte se çfarë është bërë me të.