Avdyl Loshaj ishte fejuar me një studente, e nisa në Kosovë
TIRANË- Sadik Vata, ish-punonjës i godinave të Qytetit Studenti nga viti 1992 deri 2005 pranoi se ka ndihmuar për të kaluar në Kosovë shtetasin Avdyl Loshaj, pas shërimit të tij në Spitalin Ushtarak. Sipas dëshmitarit të akuzës, Loshaj kishte qenë i fejuar me një studente me inicialet Dh.S. që banonte në konviktin ku Vata ishte roje. Sipas tij, njohja me Loshajn kishte ndodhur tek puna e tij, ku kosovari vinte për të takuar të fejuarën e tij. “Kam pirë edhe kafe me Avdyl Loshajn dhe jam njohur me të, pasi takonte të fejuarën e tij. Pas disa ditësh që ai u zhduk, kam mësuar nga e fejuara se është rrëmbyer nga policia, në momentin që ajo po pinte kafe me të. 20 ditë pas arrestimit të tij, mësova nga e fejuara e tij se ai ishte liruar dhe po shërohej në spital. Pas shërimit, ai erdhi dhe më takoi duke më treguar të gjithë dhunën e përjetuar nga SHIK-u dhe më kërkoi ndihmë ta kaloj nga Shqipëria në Kosovë, pasi isha nga Kukësi dhe e njihja zonën. Me kërkesë të tij, pas shërimit të këmbës që e kishte thyer e kam dërguar nga zona e Hasit në Kosovë, në mënyrë ilegale, duke e larguar nga Shqipëria, pasi ai kishte frikë se i rrezikohej jeta këtu. Në këtë kohë ishte ndarë edhe nga e fejuara”,-tha dëshmitari Vata para gjykatës. Gjithashtu, në seancën e djeshme dëshmuan edhe ish-drejtori i policisë së qarkullimit, Edmond Kazazi, tashmë me detyrë Drejtor i Qarkullimit Rrugor pranë Ministrisë së Transporteve, i cili dëshmoi në lidhje me kërkesën e prokurorisë për verifikimin e targave të SHIK-ut që ishin përdorur për rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe problemet që kishte hasur në verifikimin e targave në sektorin ku ai punonte. Më pas seanca ka vazhduar me dëgjimin e punëtorit të fabrikës së Duraluminit të Remzi Hoxhës, shtetasi Qemal Bejko, që kishte qenë edhe shitësi i një trualli në Kashar, të cilën e kishte blerë biznesmeni Hoxha. Po me kërkesë të prokurorisë u lexua edhe dëshmia e punëtorit të fabrikës “Albtros” të Remzi Hoxhës, shtetasi Meleq Frashëri që shpjegonte personat që kishin shoqëruar Hoxhën mesditën e 21 tetorit 1995.F.Vezaj