Ish-sulmuesi i Francës Trezeguet drejt Arabisë

Klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bani Yas, pritet që sot zyrtarisht të konfirmojë nënshkrimin me ish-sulmuesin e Francës dhe Juventusit, David Trezeguet.
33-vjeçari, i cili fitoi Kupën e Botës në vitin 1998, ka arritur në Abu Dhabi gjatë të dielës me agjentin e tij Antonio Caliendo dhe dje ka kompletuar testet mjekësore. Sot pritet edhe konfirmimi i transferimit të tij, që do t`i kushtojë klubit arab 1.7 milionë euro.
“Gjithçka duket mirë, lojtari është në Abu Dhabi, ai po kalon testet mjekësore dhe pritet të nënshkruajë, por nuk mund ta konfirmoj nëse gjithçka do të shkojë sipas planit”, ka thënë menaxheri i Bani Yas.
Bani Yas përfundoi i dyti në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin e kaluar dhe është kualifikuar për Ligën e Kampionëve aziatike.
Trezeguet do të shoqërojë lojtarë të tjerë si Grafite, Luis Jimenez dhe Lucas Neill, të cilët janë larguar nga Evropa për të luajtur në Azi.