E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen makinat për deputetët, Topi firmos ligjin

Shumë prej funksionarëve të lartë shtetërorë, nuk do të përdorin më makina me targa zyrtare


TIRANË - Ligji për heqjen e makinave zyrtare deputetëve, por edhe një pjese të konsiderueshme të funksionarëve të lartë shtetërore ka marrë tashmë firmën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ai ka dekretuar dje ligjin "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë".


Sipas ligjit në fjalë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionarët e lartë shtetërorë, nuk do të përdorin më makina me targa zyrtare në funksion të shërbimit të tyre profesional dhe personal.


Nëse ata do të duan t'i përdorin këto automjete, atëherë duhet që më parë t'i privatizojnë ato, kundrejt një pagese të caktuar, që do të vlerësohet nga shteti, në të kundërt makinat do të dalin në ankand dhe do të shiten me çmimin më të lartë, që do të paraqitet nga subjekti blerës.


Zyrtarët që do të kenë të drejtën e përdorimit të makinave me targa zyrtare do të jenë Presidenti i Republikës, Kryeministri i vendit, Kryetarja e Kuvendit, ministrat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtori i Shërbimit Informativ, Prokurorja e Përgjithshme, Kryetari i Bashkisë së Tiranës si dhe kryetari i opozitës.


Ligji u iniciua nga Këshilli i Ministrave dhe u miratua gjatë këtij muaji në Parlament nga deputetët e mazhorancës me 74 vota pro dhe një kundër. Ky ligj u kontestua nga deputeti i vetëm opozitar, pjesëmarrës në Kuvend, Vangjel Dule, sipas të cilit ai është një ligj abuzues dhe cenon parlamentarizmin.


Ligji në fjalë ndahet në dy kategori kryesore. Në kategorinë e parë përfshihen pikërisht funksionarët, që do të vazhdojnë të gëzojnë makinat shtetërore ndërsa në kategorinë e dytë përfshihen të gjitha ata që nuk do të kenë më makina të tilla, por që në këmbim do të përfitojnë një bonus për transport, që për kategori të caktuara, shkon nga 15 mijë lekë në muaj, deri në 45 mijë lekë në muaj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›