Partitë e vogla parlamentare: “Duam proporcional të personalizuar”
Të vegjëlit kërkojnë nga PD-ja dhe PS-ja që të përfshihen në vendimmarrje
Të hënën publikohet projektdrafti i propozimeve zyrtare për reformën zgjedhore
Shaban Sulçe
Partitë e vogla parlamentare konfirmojnë qëndrimin e tyre për të kundërshtuar në bllok sistemin proporcional rajonal, të propozuar nga Partia Socialiste dhe të mbështetur nga Partia Demokratike. Të vegjëlit janë mbledhur dje në një takim ku kanë diskutuar për çështjen e reformës zgjedhore dhe ku kanë dalë me propozimin e përbashkët për përzgjedhjen e sistemit proporcional të personalizuar. I vetmi që ka munguar në këtë takim ka qenë kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, i cili i kontaktuar nga gazeta “Albania” u shpreh: “Nuk mora pjesë në takim, pasi propozimi i LDK-së është sistemi maxhoritar i pastër, me një raund dhe reduktim i numrit të deputetëve nga 140 në 100 vende në parlament”.
Takimi
Ashtu siç pritej, përfaqësuesit e 11 partive parlamentare, të PR-së, PDK-së, PDS-së, PSD-së, LSI-së, PBDNJ-së, PAD-së, PAA-së, PLL-së, PBLD-së e PDR-së, janë mbledhur për të diskutuar rreth çështjes së reformës zgjedhore. Takimi, i cili ka qenë me dyer të mbyllura, është bërë në mungesë të dy bashkëkryetarëve, Astrit Patozi (PD) dhe Kastriot Islami (PS). Të vegjëlit kanë diskutuar projektdraftin për reformën zgjedhore, me të cilin kanë rënë parimisht të gjithë dakord. Propozimi kryesor i tyre ka qenë përdorimi i sistemit proporcional të personalizuar, sistem i ngjashëm me atë gjerman. Në fakt, në përfundim të takimit, përfaqësuesit e këtyre partive nuk e kanë nënshkruar projektdraftin që do të përmbajë propozimet e tyre të plota për reformën zgjedhore. Megjithatë, sipas burimeve bëhet e ditur se shtyrja e këtij nënshkrimi është bërë thjesht për sqarimin e disa gjërave teknike që duhet të përmbajë drafti. Të vegjëlit kanë kërkuar gjithashtu rifillimin nga puna në datën 3 mars të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ata janë shprehur të vendosur për të bllokuar çdo iniciativë ligjore që do të sillet në Kuvend nga PS-ja e PD-ja për reformën zgjedhore pa konsensusin e tyre. Partitë e vogla parlamentare kanë rënë gjithashtu dakord për të paraqitur në draftin e tyre të propozimeve kërkesën për përdorimin e listave të hapura, për mosrritjen e pragut elektoral si dhe barazpeshim 70 me 70 i mandateve maxhoritare dhe atyre proporcionale.
Prononcimet
Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, kërkoi nga dy partitë e mëdha, PS e PD, që dialogun për reformën zgjedhore ta zhvendosin vetëm në rrugë institucionale dhe konkretisht në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Ai tha se partitë e vogla, përmes qëndrimit të tyre, nuk kërkojnë të imponohen për reformën zgjedhore, por nuk duan as t’iu imponohet një sistem që nuk e mbështesin. Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi, tha: “Është anashkaluar veprimtaria e komisionit zgjedhor si institucioni i miratuar nga Kuvendi për të sjellë një produkt. Ky nuk është një alarm që ne japim dhe as një takim nëpërmjet të cilit kërkojmë të imponojmë qëndrimet tona, por ky është sinjal i një bashkëpunimi të plotë për të arritur një reformë të suksesshme". Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se Shqipëria do të jetë shumë larg demokracisë perëndimore në rast se reforma zgjedhore do të realizohet vetëm nga PS-ja dhe PD-ja. Edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, nënvizoi domosdoshmërinë e konsensusit gjithëpartiak për reformën zgjedhore. “Përsa i takon sistemit zgjedhor, shqetësimi dhe problemi është që ai duhet të jetë produkt i konsensusit dhe i komisioneve institucionale, ndaj dhe çdo zgjidhje duhet të jepet në rrugë konsensuale dhe institucionale”, - tha Gjinushi. Ndërsa kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u ndal edhe në rëndësinë e pajisjes së kartave të identitetit dhe përbërjes së komisioneve zgjedhore jo me militantë partiakë. “Asnjë sistem zgjedhor, cilido qoftë ai, nuk do të na garantojë se pa karta identiteti nuk do të kemi të njëjtat probleme; asnjë sistem zgjedhor, cilido qoftë ai, nuk na garanton ne se po të kemi komisione të cilat mbizotërohen nga PS-ja dhe PD-ja nuk do të abuzohet me votat, siç është abuzuar deri sot", - tha Dule.
29 Shkurt 2008