E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, 80 milionë USD, dëmshpërblim

Zbardhet buxheti i përvitshëm për dëmshpërblimin e të persekutuarve deri në 2012-ën

Qeveria ka miratuar buxhetin afatmesëm në të cilin parashikohet fondi për dëmshpërblimin që do t'u jepet ish-të përndjekurve politikë në tre vitet e ardhshme.


Duke nisur nga viti 2010, në buxhetin e shtetit parashikohet të lihen 2 miliardë lekë për të gjithë ata persona që kanë vuajtur në burg, ose kanë marrë dënim kapital gjatë regjimit diktatorial. Ndërsa për vitin 2011, shuma që pritet të lihet për këtë shtresë të shoqërisë pritet të jetë 1 miliard lekë më shumë se një vit më parë.


I njëjti fond prej 3 miliardë lekësh, ose rreth 30 milionë dollarë parashikohet të miratohet për dëmshpërblimin financiar të tyre. Për këtë vit, qeveria ka miratuar listën e dëmshpërblimit të rreth 1100 ish-të burgosurve politikë.


Në buxhetin e këtij viti janë në dispozicion dy miliardë lekë, ku 1 miliard janë trashëguar nga viti i kaluar, pasi nuk arriti të shpërndahej. Sipas ligjit, 1100 ish-të përndjekurit do të përfitojnë një kompensim financiar deri në 1 milion lekë, ndërsa vlera minimale e kompensimit do të jetë jo më pak se 100 mijë lekë.


Edhe për këtë kategori, qeveria ka deklaruar se do të vërë në dispozicion një pjesë të shumës së përfituar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. Vetë ish-të përndjekurit kanë shprehur pakënaqësi ndaj procesit të kompensimit, duke dhënë disa vërejtje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave.


Në një intervistë dhënë "Shekullit", sekretari i përgjithshëm i shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, tha se sjellja e nëpunësve të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë arrogante dhe aspak e qytetëruar karshi të përndjekurve politikë.


Ndërkohë ai kërkoi që Ministria e Financave, të organizojë punën në mënyrë urgjente që të përndjekurit të mos sorollaten duke u endur nëpër banka për të marrë fondin e tyre, por t'u vihen në dispozicion të gjitha dokumentacionet që ato të mos sorollaten por të gëzojnë fondin financiar të ligjshëm.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›